Shkelja e qeverisë në detyrë, realizon premtimin e qeverisë Kurti 3 që ende nuk është formuar

Qeveria e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti e ka normalizuar shkeljen e ligjeve dhe marrjen e vendimeve ani pse ka përgjegjësi të kufizuara. Këtë e ka bërë duke marrë vendim të një mase të re të pakos së ringjalljes ekonomike, premtim i bërë për qeverinë Kurti 3, që ende nuk është formuar.

Qeveria e kryeministrit në detyrë Albin Kurti ka marrë një vendim për realizimin e një premtimi që ishte dhenë në kuadër të zgjedhjeve parlamentare të muajit shkurt për qeverinë Kurti 3, e cila ende nuk është formuar dhe nuk dihet edhe nëse do të formohet ndonjëherë.

Në pikun e fushatës për zgjedhjet lokale, ministria e Financave që drejtohet nga ministri në detyrë, Hekuran Murati ka marrë vendim për shtimin e një mase të re në kuadër të pakos së ringjalljes ekonomike: atë për ndarjen e bursave të mobilitetit për studentët.

Ka qenë vetë Murati që në mbledhjen e qeverisë në detyrë e ka pranuar se ky ka qenë premtim për qeverinë Kurti 3.

“Prezantoj propozim vendimin për shtimin e një mase të re në kuadër të pakos ekonomike, kontretisht masa 3.8 që është bursa e mobilitetit për studentët. Ky është njëri nga premtimet kyçe që e kemi dhenë si qeveri Kurti 3 dhe kësisoj edhe po e fillojmë zbatimin duke e nisur që nga ky vit akademik”, ka thënë Murati në këtë mbledhje.

Ai ka treguar se kostoja kap vlerën e rreth 20 milionë eurove.

“Total kostoja për një vit fiskal sa i përket mbulueshmërisë i kësaj mase është paraparë të jetë rreth 20 milionë euro dhe bursa e mobilitetit do të jetë e dizajnuar asisoj pra që studentët që janë në nevojë, që vijnë nga familjet me të ardhura më të ulëta sesa mesatarja të mund të përfitojnë një bursë të mobilitetit varësisht nga distanca ku e kanë vendbanimin prej universitetit ku studiojnë. Pra sa më larg vendbanimi prej universitetit më e madhe do të jetë edhe mbështetja”, ka thënë Murati.

Ligji për qeverinë, konkretisht neni 31, nuk lejon të fillohen iniciativa të reja që nuk janë parashikuar më parë nga qeveria.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button