Shoqata nën direktivat e rektorit, u riaktivizua për të nderuar Kurtin e Osmanin

Pak ditë para mbylljes së fushatës për zgjedhjet lokale të 12 tetorit, Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” vendosi të angazhohet në një proces që nuk është aspak në fushëveprimin e tij.
Në kohën kur fushata sa vjen e intensifikohet, Albin Kurti, kryeministër në detyrë, bashkë me presidenten, Vjosa Osmanin janë nderuar nga Universiteti i Prishtinës.
“Alumni nderi”, për “përpjekjet për shtet të së drejtës” e për “Kosovë më të zhvilluar”, iu dha atyre nga rektori Arben Hajrullahu.
Fjalimi i tij ishte plot lavde për kryeministrin kujdestar e presidenten, mandati i së cilës edhe pak muaj e skadon.
“Ju të diplomuarit e Universitetit të Prishtinës në përpjekjet e juaja të përditshme të një shteti të së drejtës dhe një Kosove më të zhvilluar dhe më të fortë, e bëni fort krenare edhe shtëpinë tonë të përbashkët Universitetin e Prishtinës”, u shpreh Hajrullahu.
Në ndihmë të këtij “programi” të fushatës, rektori e angazhoi edhe transmetuesin publik.
“Po ju shkruaj edhe një herë në lidhje me kërkesën për transmetim direkt të ngjarjes”, thuhet në ftesën e rektorit Hajrullahu për RTK-në, e cila të martën iu përgjigj pozitivisht.
Por, si u bë që shoqata “Alumni” të ndajë çmime nderi për Kurtin e Osmanin?
Një ditë më parë, rektori Hajrullahu kishte deklaruar se në emër të kësaj shoqate do ndajë “Alumni i nderit” për kontributin e tyre.
Kjo shoqatë, në fillim të këtij muaji, kaloi nën ombrellën e Universitetit të Prishtinës, e rrjedhimisht nën direktivat edhe të rektorit.
“Nga sot, shoqata „Alumni UP” do të funksionojë nën ombrellën e këtij universiteti”, thuhet në njoftimin e 1 tetorit të Universitetit të Prishtinës.
E udhëheqësja paraprake e kësaj shoqate, Gjylbehare Llapi ka pranuar se para se të largohej nga posti ishin në procedura me UP-në që ‘Alumni’ të kalonte te Universiteti.
“Me të thënë të drejtën edhe anëtarëve të bordit u ka skaduar mandati”, ka thënë ish-drejtoresha në një deklaratë për Nacionalen.
Nderimi i Kurtit e Osmanit është vendimi i parë i shoqatës “Alumni” nën menaxhimin e unversitetit, duke e çuar servilosjen në nivel më të lartë në kuadër të UP-së.
E pas ndarjes së çmimeve, Hajrullahu tha se “ka pas bord në momentin e themelimit” të shoqatës e cila që nga pandemia ishte joaktive.
Madje, për Nacionale, Hajrullahu tha se vendimi për të nderuar Kurtin e Osmanin si “si figura frymëzimi për brezat e ardhshëm”, është bërë si në të gjitha vendet normale.
“Cdo universitet në vende normale, e ne jemi duke u bë të atillë secilën ditë e më shumë, që të diplomuarit e vetë, kanë të arritura në shkencë, dije, në qeverisje, në udhëheqje, e ka nderin me i sjell, me i lidh sa ma afër me Uniersitetin e vetë edhe me krenari me potencu që janë të diplomuarit e Universitetit tonë”, tha Hajrullahu.
Derisa Rektori i Universiteti të Prishtinës mburret me vendimin për nderimin e Kurtit e Osmanit, në shoqëri, një gjë e tillë shihet si servilim ndaj pushtetit.
Albert Krasniqi nga shoqëria civile tha se UP-ja ia vlerësuar dy politikanë që e kanë vendosur Kosovën nën sanksione të BE-së dhe ShBA-së.
“Universiteti i Prishtinës, në përpjekje për t’u servilosur Vjosa Osmanit dhe Albin Kurtit, i ka shpallur “Alumni Nderi”. Në arsyetim thuhet se kjo dyshe qenka “burim frymëzimi ndër gjenerata”, për shkak të “përfaqësimit të Kosovës brenda dhe jashtë vendit”. Por paramendoni: një vlerësim për këtë “binom” politikanësh që e kanë sjellë Kosovën nën masa ndëshkuese të BE-së, kanë bërë që SHBA të pezullojë fillimin e dialogut strategjik, nuk kanë siguruar asnjë njohje të re ndërkombëtare dhe humbën anëtarësimin në Këshillin e Evropës, një proces që ishte praktikisht i përfunduar. I vetmi “sukses” i tyre i prekshëm mbetet turizmi politik me paratë e shtetit, nëpër udhëtime luksoze që s’kanë sjellë asnjë dobi për qytetarët”, ka shkruar Krasniqi.