
Veteranët e luftës që punojnë në ndërmarrje publike rajonale ende nuk i kanë marrë pensionet për muajin shkurt. Në mesin e tyre është edhe Faruk Jusufi nga Klina, i punësuar në KRM “Ambienti”.
Ai tregon se pas vendimit të Gjykatës Supreme i janë ekzekutuar tri pensione në vlerë prej 102 eurosh, mirëpo për muajin e kaluar pagesa nuk është realizuar medatën 20. Faruku nga fshati Bokshiq, si 20-vjeçar ishte bërë pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ai e ka gëzuar pensionin e veteranit që nga paslufta, por pas punësimit në këtë ndërmarrje ku edhe sot punon iu ndërpre. Për tre muaj arriti ta marrë sërish, ndërsa tash e një muaj pagesa nuk është ekzekutuar nga shteti. Për këtë nuk është njoftuar paraprakisht.
Unë kam qenë prej 1 prillit të ’98-ës [ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës]. Kam qenë i kyçur, kam qenë nja tri herë në Shqipëri për armë. Edhe deri në momentin e fundit që ka përfunduar lufta, që është shndërruar prej UÇK-së në TMK, kam qenë atëherë që kam dalë prej aty me dëshirën time. Edhe për momentin jam, hy në një firmë, domethënë jam, të ‘Ambienti’, punoj si shofer, që nja tetë muaj. Pas tetë muajve punë, domethënë, na kanë ndërprerë njëherë pensionin. Tani që na kanë vazhdu prej nëntorit, na i kanë qit ka 102 euro, 50%-shin. Nëntor, dhjetor edhe janar i kemi marrë, tash në shkurt na i kanë ndalë. Nuk e di arsyen për çka është, për çka janë ndalë, po ne nuk na i qesin ato”, tregon Jusufi.
Njëjtë ka ndodhur edhe me bashkëluftëtarë të tjerë, që siç tregon Jusufi, të gjithë ata që punojnë në kompani publike ani pse me vetfinancim.
“Po nuk e di unë, nuk e di ata qysh kanë mujt me marrë atë farë vendimi, kurse kur është, ligji e ka, e ka aprovuar atë farë ligji, nuk e di tash qysh ka mujt ai me e ndërprerë këto. Nuk jemi i vetmi unë, po ka shumë të tjerë që janë. Ka shumë edhe ku punoj unë që nuk i morën. Po tash, po presim ndihmën e atyre në Prishtinë atje”, shton ai.
Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) ka pranuar shumë ankesa lidhur me këtë situatë, tregon nënkryetari i organizatës, Gazmend Syla.
Gjykata Supreme ka vendosur për të drejtën e veteranit luftëtar me e gëzuar 50%-shin e pensionit të veteranit, për të gjithë ata veteranë të cilët punojnë në sektorin privat. Ka filluar të zbatohet ky vendim dy-tre muaj. E në këtë muajin e fundit, kemi pas plot bashkëluftëtarë që na kanë thënë diku rreth datës 20 dalin pensionet e veteranëve, na kanë thirrur në telefon të shqetësuar dhe na kanë thënë që në këtë muaj nuk iu kanë dalë mjetet nëpër xhirollogaritë e tyre. Duke qenë kështu ne jemi interesuar cilës kategori nuk i kanë dalë, domethënë ky pensioni. Kemi pyetur veteranë të tjerë disa që punojnë qoftë në ndërtimtari, qoftë nëpër biznese private, ata kanë qenë në rregull. Kemi marrë vesh që nuk kanë dalë ky pensioni 50%-shi veteranëve të cilët punojnë nëpër kompani publike, do të thotë, për shembull siç është qoftë ajo e pastrimi, qoftë ajo higjiena, ose ajo e ujërave. Edhe prandaj vetëm kësaj kategorie ju kanë ndalë”, tregon Syla.
Ndërprerja e pensioneve për këtë kategori, Syla konsideron se është padrejtësi.
Jemi të çuditur paksa, sepse këto funksionojnë [ndërmarrjet publike rajonale] me vetëfinancim. Do të thotë këtu nuk e marrin, nuk marrin prej buxhetit të shtetit. Do të thotë, nuk dëmtohet buxheti i shtetit edhe pse ju jepnin 50% të pensionit këtyre bashkëluftëtarëve tonë. Prandaj, është një e padrejtë që po ndodh tashmë për të dytën herë vetëm atyre veteranëve të cilët punojnë në këto ndërmarrje”, shton ai.
Syla u bën thirrje këtyre veteranëve që t’i drejtohen gjykatave, për çka edhe Faruk Jusufi thotë se është i gatshëm që të ndjek rrugën ligjore.



