
Lëvizja Vetëvendosje, partia që për katër vjet drejtoi e vetme Qeverinë e Kosovës, po përballet me një realitet të ri politik pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, ku siguroi 48 ulëse në Kuvend dhe nuk arriti të krijojë shumicë për formimin e qeverisë së re.
Mirëpo, rënia prej rreth 8 për qind në zgjedhjet e fundit e ka lënë partinë pa partnerë potencialë për koalicion.
Të gjitha partitë opozitare Lidhja Demokratike e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate kanë refuzuar ofertat e Kurtit për bashkëqeverisje.
Presidentja Vjosa Osmani pritet të shpallë zgjedhjet e reja të parakohshme, pasi bisedimet politike për formimin e qeverisë kanë ngecur.
Sipas hulumtueses Donika Emini nga grupi BiEPAG, Vetëvendosje ka ndërtuar një narrativ polarizues që e ka izoluar politikisht.
“Për katër vjet LVV-ja ka refuzuar bashkëpunimin me partitë e tjera, duke ushqyer ndarjen ‘ne kundër të gjithëve’. Ky polarizim mund të ketë ndihmuar në mobilizimin e votuesve, por ka pamundësuar kompromisin politik,” ka thënë Emini për Radion Evropa e Lirë.
Në të njëjtën linjë është edhe analisti politik Naim Rashiti, drejtor i Grupit për Hulumtimin e Politikave në Ballkan (BPRG). Ai vlerëson se Vetëvendosje e konsideroi si të mirëqenë rezultatin historik të vitit 2021, pa marrë parasysh se sistemi elektoral në Kosovë rrallë lejon shumica absolute.
“Rezultati i vitit 2021 ishte një përjashtim. Është e vështirë që një parti e vetme të fitojë mbi 50 për qind në një sistem proporcional. LVV-ja nuk e përsëriti atë rezultat, pjesërisht për shkak të narrativës polarizuese që ka ndërtuar,” tha Rashiti.
Ndër faktorët që, sipas analistëve, kanë ndikuar në izolimin e Kurtit janë edhe përplasjet me partnerët ndërkombëtarë, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian.
Masat ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës, vendosura pas tensioneve në veri në vitin 2023, si dhe pezullimi i Dialogut Strategjik nga SHBA-ja në shtator të këtij viti, kanë dëmtuar pozitën e qeverisë në detyrë në arenën ndërkombëtare.
“Ky izolim nuk ka ndodhur menjëherë, por është thelluar me kalimin e kohës dhe ka ndikuar edhe në perceptimin e brendshëm të qeverisjes së Kurtit,” vlerëson Emini.
Ekspertët pajtohen se, pavarësisht sfidave, Vetëvendosje mbetet forca kryesore politike në vend dhe mund të dalë sërish e para në zgjedhjet e ardhshme. Megjithatë, formimi i qeverisë dhe zgjedhja e presidentit në vitin 2026 do të kërkojnë konsensus të gjerë politik.
“Sistemi parlamentar i Kosovës funksionon vetëm përmes kompromisit. Vetëvendosje e di këtë, por deri tani e ka shmangur qëllimisht për të ruajtur narrativin e saj të qëndrueshmërisë politike,” shton Emini.
Në prill të vitit 2026 i përfundon mandati presidentes Vjosa Osmani, dhe zgjedhja e pasardhësit të saj pritet të jetë një nga testet kryesore për aftësinë e forcave politike kosovare për bashkëpunim.



