Sibel Halimi emërohet drejtoreshë e Kulturës në Prishtinë

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, e ka emëruar Sibel Halimin drejtoreshë të Kulturës.
Ai ka shkruar në Facebook se Halimi do ta vazhdojë misionin “për një kryeqytet me jetë të pasur kulturore e artistike”.
Kreu i Prishtinës ka shkruar se përvoja dhe përkushtimi i Halimit do të nxjerrin në pah potencialin dhe pasurinë e shpirtit artistik të kryeqytetit.
“Njihuni me drejtoren e re të Drejtorisë së Kulturës, znj. Sibel Halimi. Me shumë kënaqësi e përgjegjësi Sibeli, e ka marrë detyrën e re për ta vazhduar misionin tonë për një kryeqytet me jetë të pasur kulturore e artistike”, ka thënë ai të martën.
Halimi është poete dhe autore e librave, ndërsa është marrë me studime dhe kërkime në fushën e sociologjisë. Ka qenë e angazhuar edhe në Departamentin e Filozofisë dhe të Sociologjisë në Universitetin e Prishtinës.
Ajo është edhe në strukturat e Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Pozitën e drejtoreshës së Kulturës në Prishtinë e ka mbajtur Arta Balaj, para se të jepte dorëheqje nga ky post, ku u prish koalicioni i qeverisjes lokale mes Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).