
Kriza financiare që po e kalon KB Sigal Prishtina vazhdon të ndikojë drejtpërdrejt në aktivitetin sportiv të klubit.
Menaxhmenti aktual, në përpjekje për të stabilizuar situatën, ka marrë vendimin që skuadra të tërhiqet nga garat e ENBL-së, pavarësisht se kishte siguruar kualifikimin në fazën eliminatore. Klubi bardhekaltër e konfirmoi vendimin përmes një njoftimi zyrtar, duke bërë të ditur se ndërprerja e pjesëmarrjes vjen si pasojë e obligimeve financiare dhe administrative të papërmbushura ndaj ligës, të trashëguara nga drejtuesit e mëparshëm.
Sipas klubit, pavarësisht përpjekjeve të drejtuesve aktualë për të gjetur një zgjidhje dhe për të vazhduar garimin në këtë kompeticion, situata financiare e bën të pamundur pjesëmarrjen në këtë fazë të garës. Prishtina ka vendosur që në këtë periudhë të fokusohet plotësisht në garat vendore dhe në stabilizimin e skuadrës.
Pak javë më parë, drejtuesit e klubit kishin mbajtur edhe një konferencë të jashtëzakonshme për media, ku zbuluan se Prishtina ka trashëguar borxhe të mëdha financiare nga udhëheqja e kaluar. Në aspektin sportiv, situata nuk është shumë më e mirë për bardhekaltërit.
Kur kanë mbetur edhe pesë xhiro deri në përfundim të sezonit të rregullt në Superligën e Kosovës, Prishtina renditet në vendin e gjashtë me bilanc prej 9 fitoreve dhe 14 humbjeve, duke luftuar për të siguruar një vend në playoff.
Ndërkohë, edhe liga ENBL ka konfirmuar se Prishtina nuk do të paraqitet në fazën eliminatore, çka do të thotë se kundërshtari i saj, Dinamo Zagrebi, kalon automatikisht në çerekfinale të garës.



