
Policia e Shqipërisë ka finalizuar operacionin policor të koduar “Lockdown”, duke goditur një grup kriminal të dyshuar që merrej me trafikimin dhe shitjen e armëve të zjarrit, kryesisht të kontrabanduara nga Kosova.Sipas Policisë shqiptare, operacioni u zhvillua pas një hetimi dy-mujor me metoda proaktive nga Komisariati i Policisë Nr.3, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë. Si rezultat, janë arrestuar katër shtetas: G.N, 39 vjeç R.R, 48 vjeç, K.C, 49 vjeç dhe A.C 45 vjeç, të gjithë me banim në Tiranë.
Sipas Policisë, të dyshuarit siguronin armë zjarri nga Kosova, të cilat më pas i sillnin në Tiranë, ku modifikoheshin dhe magazinoheshin në një ambient të përshtatur në zonën e Selitës.
Prokuroria po vijon hetimet për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale, ndërsa materialet procedurale i janë referuar organit të akuzës për veprime të mëtejshme.



