
Kanë mbetur vetëm edhe dy ditë që urdhëresa për sjellje me detyrim në Gjykatë të ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, të ekzekutohet nga Policia e Kosovës.
Kjo urdhëresë është ende aktive, dhe këtë për Klankosova.tv e konfirmoi përsëri zëdhënësja e Gjykatës Themelore të Prishtinës, Mirlinda Gashi.
Urdhri është lëshuar edhe ndaj Salih Zybës dhe Fitore Pacolli – Dalipit.
Këta akuzohen për veprën penale “përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” si dhe “Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare”, njofton Klankosova.tv.
“Ju njoftojmë se në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamenti i Përgjithshëm Penal, është duke u zhvilluar procedura penale kundër të pandehurve, D.M., XH.S., S.Z., dhe F.P.D, për shkak që secili veç e veç kanë kryer veprën penale Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm, nga neni 375 paragrafi 1 dhe veprës penale Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyres zyrtare nga neni 409 paragrafi të KPRK-së”.
“Gjyqtari i kësaj çështje penale, për shkak se të pandehurit F.P.D, S.Z., dhe XH.S kishin munguar në seancën e datës 16.09.2025 dhe mungesën e tyre nuk e kishin arsyetuar, ka vendosur jashtë seancës dhe ka lëshuar Urdhëresë për sjellje me detyrim kundër të pandehurve F.P.D, S.Z., dhe XH.S.Gjykata ka ndërmarr të gjitha veprimet e duhura dhe ka urdhëruar Policinë e Kosovës që të ndërmarr veprimet e mëtejme procedurale për të siguruar prezencën e të pandehurve në seancën e radhës”, deklaroi Gashi.
“Urdhëresën do ta ekzekutoj Policia e Kosovës”.



