Skandal, prona e fshehur e krerëve të BIK-ut

Myftiu Naim Tërnava dhe sekretari Ahmeti nuk e mbajtën në emër të tyre pronën milionëshe.
Parcelë përbëhet nga rreth 4 hektarë tokë, apo rreth 40 mijë metra katror. Ndodhet në Lipjan, rrugës në drejtim të Komunës së Shtimes.
Sipas historiatit të pronës të Drejtorisë së Kadastrit në Lipjan, rezulton të jetë blerë nga Imer Sadriu.
Bartja në komunë është bërë në vitin 2006 bazuar në kontratën e shit-blerjes.
Mirëpo, pronari real i tokës dyshohet të mos ketë qenë vetë ai, raporton Betimi për Drejtësi.
Imer Sadriu është vëllai i sekretarit aktual të Bashkësisë Islame të Kosovës, Ahmet Sadriut.
Prona e blerë prej katër hektarë, dyshohet në realitet të jetë blerë nga vëllai i tij, pra sekretari i BIK, Ahmet Sadriu bashkë me myftiun e Kosovës, Naim Tërnava.
Me të pranuar këtë informacion, gazetarja e “Betimit për Drejtësi” duke u paraqitur në rolin e një investitori ka kontaktuar me vëllain e sekretarit të BIK, Imer Sadriun më 30 shtator.
Të njëjtit i është shprehur interesim për të blerë parcelën prej 4 hektarë.
“Gazetarja: Ma herët të ka thirr vllau Altini për tokën në Shtime po e ka pas për mu. Ai më tha që ju i paskit edhe ju ose në emër të Tërnavës edhe vllaut edhe goxha do toka.
Sadriu: Po, po, po.
Gazetarja: Ku i keni këto toka, se unë e kom një biznes e jom e interesume me qel një fabrikë. Jom tu e kqyr qat terrenin qanej se pom konvenon, meqenëse keni bo ju ndërrim thash te di nëse oshtë mundësia prap me pas naj bashkëpunim.
Sadriu: Dëgjo, dëgjo, me ata që na jemi marrë vesh dhe është kry kjo punë, ata veç e kanë hap aty a je tu kuptu
Gazetarja: Po.
Sadriu: Kanë hapa ata biznes të vetin ata që e kanë ble para 4 vjete është kjo është në Gracë e kanë kry këta. Do me thanë na s’kem qasje kurgjo aty ata komplet e kanë marrë dhe kanë hap diçka. Çfarë fabrike doni me hap?
Gazetarja: Unë du me hap një për tesha me prodhu tesha, me eksportu. Me gra.
Sadriu: Eh valla”
Parcela për të cilën po flet Imeri, mohon të ketë qenë vetëm e tij.
Ai thotë se e kishte regjistruar në emër të tij, vetëm duke u thirrur nga fakti se ka banuar në fshatin Davidovc, në afërsi të fshatit Gracë e Vjetër, ku edhe gjendej parcela tash milionëshe.
“Gazetarja: E ajo tokë a u kanë e jotja a e Tërnavës a ti veç e ke pas në emër tonë?
Sadriu: Jo, dëgjo krejt u kanë në emër tem kanë qenë dy vetë vllau edhe Tërnava bashkë jon kanë, edhe unë, tre vetë jemi kanë.
Gazetarja: A tretë vetë?
Sadriu: Po, ama në emër temin ka qenë ajo masi kamë qenë unë këtë pjesë, ata kanë jetu në Prishtinë kështu që është dashtë dikush këtë pjesë me i pas.”
Pra, Imer Sadriu që dikur ishte mësimdhënës e tash në pension, pranon se në fakt ai ka qenë pronar me letra, mirëpo hisedar ishin edhe vëllai i tij dhe myftiu Tërnava.



