Skuadrat kosovare në aksion të mërkurën në arenën ndërkombëtare të basketbollit

Basketbolli kosovar vazhdon rrugëtimin e tij në garat evropiane, me tri skuadra që do të zbresin në parket këtë të mërkurë në kuadër të xhiros së dytë të FIBA Europe Cup dhe ENBL League.
Kampioni aktual i Kosovës, KB Trepça, rikthehet para tifozëve të saj në palestrën “Minatori”, pas paraqitjes dinjitoze në Selanik ndaj PAOK-ut, ku u mposht 85:74.
Në ndeshjen e dytë të grupit, mitrovicasit përballen me skuadrën gjermane Basketball Braunschweig, që në hapje të edicionit triumfoi ndaj Anwilit të Polonisë pas vazhdimeve me rezultat 98:97.
Takimi zhvillohet të mërkurën në ora 18:30.
Skuadra prizrenase e Bashkimit do të kërkojë fitoren e parë në grup ndaj ekipit të njohur italian, Reggiana.
Pas humbjes në Zagreb ndaj Cibonës (93:79), prizrenasit do të kenë një sfidë të vështirë përballë italianëve që javën e kaluar mposhtën Dijonin e Francës pas vazhdimeve, 96:88.
Ndeshja zhvillohet të mërkurën në ora 20:00
KB Peja, pas disfatës në shtëpi ndaj Rigas Zelli (83:72), udhëton drejt Zagrebit për t’u përballur me Dubravën.
Skuadra kroate po ashtu pësoi humbje në xhiron e parë ndaj Spartak Plevenit të Bullgarisë (83:82), çka e bën këtë përballje shumë të rëndësishme për të dy ekipet.
Takimi nis të mërkurën në ora 20:00.
Ndërkohë, KB Prishtina, që është skuadra e katërt kosovare në arenën ndërkombëtare, aktualisht kryeson Grupin B të ENBL League me dy fitore nga dy ndeshje.
Kryeqytetasit do të rikthehen në aksion më 29 tetor, në udhëtim ndaj Slovan Bratislava në Sllovaki.