Skulptori mitrovicas Sabri Behramaj nderon heroinën e heshtur – realizon shtatoren e Nënës Zahide Jashari

Skulptori i njohur nga Mitrovica, Sabri Behramaj, ka realizuar me mjeshtëri të rrallë dhe përkushtim të thellë artistik shtatoren e Nënës Zahide Jashari, nënës së komandantit legjendar Adem Jashari dhe familjes që u bë simbol i lirisë së Kosovës.
Vepra e tij e fundit, që tashmë qëndron në Skenderaj të Drenicës, përfaqëson një simbol të fuqishëm të nënës shqiptare – duke përkundur një fëmijë në djep, ajo përcjell mesazhin e përjetshëm se liria fillon aty ku lind jeta – në gjirin e nënës.
Përmes kësaj shtatoreje, Behramaj jo vetëm që nderon figurën e Nënës Zahide, por edhe i jep zë një sakrifice të madhe e të heshtur – atë të nënës që rrit bijtë për liri, me dashuri, qëndresë dhe dinjitet.
Shtatorja e Nënës Zahide tashmë do të qëndrojë përjetësisht si një kujtesë e gjallë e burrërisë së nënave të Drenicës, e guximit familjar Jashari, dhe e themeleve të lirisë së Kosovës.