Suspendohen edhe shtatë policë për keqtrajtimin e dy të rinjve në Podujevë

Inspektorati Policor i Kosovës i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin  edhe për shtatë zyrtarë policorë për keqtrajtimin e dy të rinjve në Podujevë, incident ky që kishte ndodhur para disa javësh.

Hetuesit e IPK-së në koordinim me  Prokurorinë Themelore në Prishtinë kanë zgjeruar hetimet lidhur me rastin ku dyshohej se zyrtarët policorë kishin tejkaluar autorizimet e tyre gjatë përdorimit të forcës.

“Bazuar në veprimet e zgjeruara hetimore dyshohet se në këtë rast janë të përfshirë edhe shtatë zyrtarë tjerë policorë për të cilët IPK i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin.

Hetimet lidhur me këtë rast ndaj 6 zyrtarëve policorë  janë duke u zhvilluar në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë në procedurë të rregullt  me dyshimin për veprën penale “Keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike” kurse ndaj një togeri policor  lidhur me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “Moslajmërimi i veprave penale apo kryesve të tyre”.”

Bazuar në veprimet hetimore deri në këtë fazë janë identifikuar 11 zyrtarë të dyshuar lidhur me rastin e njëjtë, katër prej të cilëve janë suspenduar më herët.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button