
Sot në orët e hershme të mëngjesit dy persona të moshës madhore janë qëlluar me armë zjarri ku si pasojë njëri prej tyre ka ndërruar jetë, shkruan TandemPress.
Burimet nga policia bëjnë të ditur që personi tjetër është dërguar për trajtim mjekësor.
“Sot rreth orës 05:30, jemi njoftuar se në rrugën “Vëllezërit Frashëri” në Gjakovë dy persona meshkuj, të moshës madhore, janë qëlluar me armë zjarri.Si pasojë e plagëve të marra, njëri prej tyre ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes (ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e tij). Personi tjetër ka mbetur i plagosur dhe është dërguar për trajtim mjekësor”, ka thënë zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj.
Sipas Elezajt njësitë përkatëse policore i janë përgjigjur menjëherë rastit dhe është njoftuar prokurori i shtetit i cili po ashtu ka dalë në vendin e ngjarjes.
“Aktualisht po ndërmerren veprimet e nevojshme hetimore me qëllim të arrestimit të të dyshuarit dhe zbardhjes së plotë të rrethanave të ngjarjes.”- Sheremet Elezaj- zëdhënës i Policisë Rajonale në Gjakovë./TandemPress/



