Tensionohet seanca, Ganimete Musliu ia ndal fjalën Kurtit: Kthehu në temë, kryeministër

Rikthimi i kryeministrit Albin Kurti në vazhdimin e seancës se sotme ka nxitur tensione në sallë.
Kjo pasi kryeministri ka marrë fjalën dhe ka filluar të flas jashtë temës për të cilën wshtw thirrur kjo seance dhe po diskutimin deputet e opozitës.
Kjo ka bërë që deputetja e PDK-së, Ganime Musliu, është ngritur dhe ia ka kapur mikrofonin Kurtit, duke i kërkua të mos flas jashtë temës.
“A ka mundësi të kthehesh në temë kryeministër sepse i ke pasur katër vjet me qeverisë dhe nuk ke realizuar asnjë projekt. Kthehu në temë e mos na shit përralla. Thirre kabinetin qeveritar këtu dhe mbajeni rendin. Kryeministër kthehu në temë”, i ka thënë ajo Kurtit.
Pas qetësimit të situatës, Kurti ka bërë thirrje për qetësi.
“Lutje për ruajtje të qetësisë institucionale dhe përgjegjësinë e përfaqësuesit të popullit”, ka thënë Kurti.
Ndërkaq gjatë fjalimit, deputetja e PDK-së, Arbnore Salihu ia hoqi flamurin kombëtar nga foltorja.
Qeveria dhe VV-ja e bojkotojnë vazhdimin e seancës
Pushteti e ka bojkotuar vazhdimin e seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit për çmimin e naftës.
Pas pauzës, askush prej Qeverisë Kurti dhe deputetëve të LVV-së nuk është rikthyer në Kuvend për të vazhduar debatin rreth rezolutës që e ka propozuar opozita.
I vetmi zyrtar i pushtetit në këtë seancë është nënkryetari i Kuvendit nga radhët e VV-së, Ardian Gola, i cili po e udhëheq seancën.
Braktisja e kësaj seance nga pushteti ka nxitur reagimin e opozitës.
E para që ka reaguar ka qenë nënkryetarja e Kuvendit nga radhët e PDK-së, Vlora Çitaku.
Ajo ka vlerësuar se mungesa e zyrtarëve të pushtetit në këtë seancë ku po diskutohet për ngritjen e çmimit të naftës është jo serioze.
Çitaku ka kërkuar sqarime nga kryesuesi i seancës, Ardin Gola, i cili është nënkryetar i Kuvendit nga radhët e VV-së.
“A mundeni, ju lutem, të kontaktoni me përfaqësuesit e partisë suaj dhe të qeverisë që ta dimë se a do të jenë në seancë sot, a jo? Është ekspremisht jo serioze, jo në raport me ne, por në raport me qytetarët e Kosovës që asnjë deputet asnjë ministër të mos jetë prezent në ditën kur po diskutojmë një temë që po rëndon qytetarët e Kosovës. Ata ndoshta nuk po dalin prej xhipave të zi, e nuk po shkojnë në supermarkete me ble ushqime vet, por qytetari i Kosovës është varfenuar”, ka thënë Çitaku.
Kurse, kryesuesi i seance, Ardina Gola, i ka thënë se nuk është detyra e tij.
“Nuk është kjo detyrë e imja, mund të komunikoni në vijën horizontale. Shefin e grupit parlamentar e keni, kontaktoni shefin e grupit parlamentar të VV dhe merruni vesh”, ka thënë Gola.
Ndaj veprimit të VV-së ka reaguar edhe deputeti i LDK-së, Ermal Sadiku.
Në fillim të fjalës së tij, ai ka thënë se vetëm deputetët e LVV-së dhe ata të Listës Serbe nuk janë në sallë të Kuvendit.
Ky krahasim e ka nxitur reagimin e kryesuesit të seancës, Ardian Gola.
Ai ka deklaruar se një paralele e tillë nuk qëndron.
“Në seancë po mungojnë edhe deputetë të tjerë. Cfarëdo përpjekje për të portretu ndonjë mungesë të sinkronizuar është e papranueshme”, ka thënë Gola.
Në pjesën e parë të seancës se sotme, Qeveria ka kundërshtuar kërkesën e partive opozitare për ulje të përkohshme të akcizës në naftë dhe ulje të TVSH-së për karburantet.
Në seancën e jashtëzakonshme të thirrur nga LDK-ja rreth rritjes së çmimeve të naftës, partitë opozitare kanë kërkuar ndërhyrjen e Qeverisë për uljen e çmimit të naftës, i cili ka shkuar deri në dy uro për litër.
Rezoluta e propozuar nga LDK-ja ka pasur tri kërkesa ndaj Qeverisë: të ulet përkohësisht akciza në naftë; të ulet TVSH për karburantet; dhe të bëhet subvencionimi për sektorët më të ndjeshëm, si bujqësia, prodhimi dhe transporti publik.



