Thaçi për Banjskën: Si u lejua largimi 80 personave të armatosur në mes të ditës, sikur të ishin krushq të ftuar, e jo sulmues të lirisë dhe shtetit?

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, nga qelia në Hagë ka reflektuar mbi zhvillimet e fundit në Kosovë dhe marrëdhëniet me bashkësinë ndërkombëtare. Në një prononcim të drejtpërdrejtë dhe kritik, Thaçi ka ngritur pikëpyetje serioze rreth mënyrës se si është menaxhuar raporti me aleatët strategjikë në kontekstin e sigurisë dhe diplomacisë ndërkombëtare.
Ai është ndalur te sulmi në Banjskë dhe shpërthimi në kanalin Ibër–Lepenc, ngjarje që, sipas tij, e gjetën Kosovën të izoluar dhe të papërgatitur në rrafshin diplomatik dhe medial.
“Duhet reflektuar pse, edhe pas sulmit në Banjskë, Kosova u gjend e goditur dhe e kritikuar nga ndërkombëtarët, ndërsa kritikat ndaj Beogradit ishin tepër elegante,” është shprehur ai. “Edhe pas shpërthimit në Ibër–Lepenc, në mediat ndërkombëtare dhe qendrat vendimmarrëse u ngrit dilema nëse ishte akt sabotazhi nga Serbia apo thjesht veprim elektoral lokal.”
Thaçi theksoi se nuk është e mundur që mekanizmat ndërkombëtarë të mos jenë të vetëdijshëm për atë që ndodh në Kosovë.
“Askush nuk mund t’i fusë në lajthitje mekanizmat ndërkombëtarë. Ata e kontrollojnë edhe tokën, edhe qiellin e Kosovës,” tha ai. “Kosova duhet të bashkëpunojë me NATO-n dhe SHBA-të, jo t’i befasojë ato. Nuk është e rastësishme që këto ngjarje ndodhën pikërisht në momentin më të dobët të bashkëpunimit me Perëndimin.”
Ai ka kërkuar që çështjet e sigurisë të ngrihen për debat publik dhe reflektim institucional: “Pse pikërisht tani u guxua të ndodhin gjëra të tilla? Për 24 vite, Kosova nuk ishte ballafaquar me fenomene të kësaj natyre.”
Ish-presidenti ka bërë edhe një krahasim simbolik për të përshkruar pozicionin e dobësuar të shtetit:
“Si ndodhi që mbi 80 persona të uniformuar dhe të armatosur u shfaqën në dhjetëra kilometra brenda territorit të Kosovës? Si u lejua largimi i tyre në mes të ditës, sikur të ishin krushq të ftuar, e jo sulmues të lirisë dhe shtetit?”
Ai përmbylli deklaratën me thirrjen për një hetim të thellë e transparent në bashkëpunim me ndërkombëtarët.
“E vërteta i duhet Kosovës më shumë në raport me ndërkombëtarët, sesa për të kënaqur opinionin publik lokal. Vetëm drejtësia, mbi bazën e një procesi serioz dhe të përbashkët, mund ta zbardhë këtë të vërtetë.”, tha ai.