Trupi gjykues: Vonesat e përsëritura nga Mbrojtja Thaçi në paraqitjen e dëshmitarëve kanë ndikuar në dinamikën e gjykimit
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhKS) në Hagë është marrë vendim që deri me 3 nëntor, Mbrojtja e Hashim Thaçit dhe ajo e Krasniqit të dorëzojnë kërkesat për pranim të provave materiale në rastin në të cilin këta dy, akuzohen së bashku me Kadri Veselin dhe Rexhep Selimin për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Në dokumentin ku u dha ky urdhër, Trupi gjykues i përfaqësuar nga Charles Smith III ka nënvizuar vonesat e përsëritura të mbrojtjes së Thaçit në paraqitjen e dëshmitarëve të saj, gjë sipas tyre ka ndikuar ndjeshëm në dinamikën e gjykimit.
Sipas dokumentit, trupi gjykues nënvizon se data e synuar për mbylljen e çështjes së Mbrojtjes ishte me 14 nëntor 2025, por zhvillimet e fundit e kanë ndryshuar këtë dinamikë.
Për shkak të mungesës së dëshmitarit, sipas mbrojtjes u anuluan edhe disa seanca të planifikuar. Ndërsa, për të mos u shkaktuar vonesa të panevojshme, rupi gjykues njoftoi se e caktoi edhe një javë shtesë për seanca e cila fillon me 17 nëntor 2025.
Sipas asaj qe thuhet në dokument, kjo javë seancat e së cilës u anuluan, siç ka njoftuar mbrojtja, do përdorej për dëshminë e dëshmitarit 1DW-007. Por, që më vonë palët u njoftuan se nuk ka dëshmitarë të disponueshëm për atë javë.
Më pas, mbrojtja e Thaçit kishte njoftuar se dëshmitari i fundit i saj është planifikuar përkohësisht që të dëshmojë për javën e 17 nëntorit 2025.
Ndërsa, dëshmitarët e mbrojtjes së Krasniqit në rast që do e thërras ajo ndonjë, do të dëgjohen vetëm pas përfundimit të dëshmitarëve të mbrojtjes së Thaçit.
Kurse për javën qe fillon me 3 nëntor, trupi gjykues thotë se mbrojtja ka njoftuar se planifikon ta thërras një dëshmitar por nuk është e sigurt nëse ai do të dëshmojë gjatë asaj jave, shkruan Betimi për Drejtësi.
Trupi gjykues ka rikujtuar se është përgjegjësi e palës thirrëse që të sigurojë që pa përfundimit të dëshmisë së një dëshmitari, të ketë një dëshmitar tjetër gati për të filluar dëshminë në mënyrë që të shmanget çdo vonesë në procedura.
Andaj, trupi gjykues ka vendosur datën 3 nëntor si datë për dorëzimin e të gjitha provave materiale nga ana e mbrojtjes duke ndryshuar afatin i cili ishte përcaktuar një javë kohë për ta bërë një gjë të tillë pasi të përfundojë dëshminë dëshmitari i fundit i thirrur nga mbrojta përkatëse.
Kjo është bërë me arsyetimin për t’u bërë përfundimi në kohë i procedurave. Andaj, është theksuar se çdo kërkesë e mbrojtjeve për afat shtesë nuk duhet ta dëmtojë të drejtën e të akuzuarve të tjerë dhe interesin e viktimave për një gjykim pa vonesa.
Kur jemi tek vonesat, trupi gjykues thotë se vonesat që po ndodhin aktualisht po ndikojnë në përfundimin jo të shpejtë dhe efekti v të çështjes si dhe ndikojnë në të drejtat e palëve të tjera për një gjykim pa vonesa të panevojshme.
“Për këto arsye, dhe për të shmangur çdo vonesë të mëtejshme në fazat pasuese të procedurave, si dhe për të ruajtur të drejtën e të akuzuarve të tjerë dhe interesat e viktimave, Paneli ndryshon Urdhrin e Mëtejshëm dhe rishikon afatin për dorëzimin e çdo kërkese të mbetur për pranimin e provave përmes tabelës nga Mbrojtja, duke e caktuar për të hënën, 3 nëntor 2025, në orën 16:00. Paneli urdhëron më tej që çdo përgjigje ndaj tyre të dorëzohet deri të hënën, 10 nëntor 2025, në orën 16:00. Nuk do të pranohen përgjigje shtesë”, thuhet në vendim.
Por, në këtë vendim thuhet se mund të bëhen përjashtime në rast që mbrojtja tregon arsye të vlefshme për dorëzimin e ndonjë kërkese të mbetur pas 3 nëntorit 2025 e cila do të shqyrtohet për të shmangur çdo lloj paragjykimi ndaj mbrojtjes.
Gjithashtu, mbrojtja u urdhëruar që t’i shikojë të gjitha mundësitë e mundshme që t’i sigurojë dëshmitarët e saj gjatë ditëve të planifikuara për seanca.
Po ashtu, thuhet se mbrojtja duhet ta shqyrtojë mundësinë që të sjellë më herët dëshmitë e dëshmitarëve 1DW-009, 1Dw-008 dhe 1DW-007, në mënyrë që të sigurojë që asnjë ditë gjykimi e planifikuar të mos humbet për shkak të mungesës së një dëshmitari duke përfshirë edhe javën që fillon me 3 nëntor.
Veç kësaj, thuhet se në rast se çështja e udhëtimit shkakton vonesa, Mbrojtja Thaçit duhet të shqyrtojë mundësinë e paraqitjes së dëshmitarëve përmes video-lidhjes.
Ndyrshe, mbrojtja ka filluar me paraqitjen e provave të saj më 15 shtator 2025, ku për tri ditë me radhë u dëgjua ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të shtetit, James Rubin.
Ndërsa, pas tij u thirr ish-këshilltari ligjor i delegacionit shqiptar në Rambuje, Paul Williams. Kurse, ish-këshilltari politik i komandantit të lartë të NATO-s, Wesley Clark, John Steëart Duncan filloi dëshminë më 22 shtator dhe e mbaroi më 23 shtator 2025.
Kurse, më 30 shtator nisi dëshminë James Peter Covey, ish-zëvendës i përfaqësuesit të OKB-së në Kosovë, Bernard Kouchner. Covey e përfundoi dëshminë më 2 tetor.
Më 14 shtator 2025, në Hagë u mbajt një protestë masive në përkrahje të ish-krerëve të UÇK-së, ku morën pjesë qytetarë nga të gjitha trojet shqiptare e mërgimtarë të shumtë.
DhSK-ja ka bërë të ditur se 14 nëntori 2025 është caktuar si datë për përfundimin e çështjes së mbrojtjes në këtë rast, kurse parashtresat përfundimtare të procesit dhe deklaratat mbi ndikimin e krimeve të pretenduara tek viktimave që marrin pjesë në procedurë planifikohen të paraqiten deri më 22 dhjetor 2025.
Ndërkohë, më 15 prill 2025, Prokuroria ka njoftuar se ka përfunduar paraqitjen e provave në këtë rast.
Ndërsa, mbrojtja kishte bërë kërkesë sipas Rregullës 130, e cila parasheh kërkesën për rrëzimin e ndonjë akuze apo akuzave në tërësi në aktakuzë. Vendimi mbi këtë kërkesë ishte marrë më 16 korrik 2025. Sipas kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith III, ajo që kishte kërkuar mbrojtja ishte mosmbështetja në pretendime për krime lufte që kanë të bëjnë me incidente që kanë ndodhur para majit të 1998-ës dhe pas 20 qershorit të 1999-ës.
“Trupi gjykues vëren se incidentet dhe ngjarjet që kanë ndodhur në kohën që kundërshtohen prej mbrojtjes nuk janë akuza brenda kuptimit të Rregullës 130”, tha kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III.
Si rrjedhojë, ishte rrëzuar ky mocion me arsyetimin se trupi gjykues s’e ka autoritetin për të rrëzuar materiale që përbëjnë akuzat që kanë të bëjnë me shkaqe kohore. Ndërsa, po të njëjtën ditë, mbrojtja e viktimave kishte paraqitur provat e veta duke thirrur dy dëshmitare eksperte për të dëshmuar njëkohësisht.
Përveç që dëshmuan më 16 korrik 2025, dëshmia e këtyre dy dëshmitareve vazhdoi edhe më 17 korrik 2025, duke përfunduar kështu edhe marrja e dëshmive të dëshmitarëve të mbrojtjes së viktimave.
Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.



