
Në renditjen e parë globale të universiteteve për vitin 2026 të publikuar nga platforma e njohur ndërkombëtare „Webometrics”, Universiteti i Prishtinës është rikonfirmuar si më i miri mes universiteteve në gjuhën shqipe.
Në renditjen më të re, Universiteti i Prishtinës ndodhet në pozitën 2403, që është më e larta që universiteti ka pasur ndonjëherë në këtë platformë.
Në janar të vitit 2025 UP-ja pozicionohej e 2543-ta, ndërsa në fillim të 2024-ës ndodhej në vendin e 2605-të.
Platforma „Webometrics” në renditje vlerëson dukshmërinë globale, prezencën digjitale, përsosmërinë e kërkimit shkencor, transparencën, performancën dhe ndikimin akademik të një universiteti.
Në renditjen globale janë të përfshira mbi 30 mijë institucione të arsimit të lartë nga mbarë bota.



