Ushtarët e KFOR-it kryejnë ushtrime për gjuajtje me armë

Ushtarët italianë të KFOR-it nga Komanda Rajonale Perëndimore (RC-W) zhvilluan dje një ushtrim me gjuajtje me armë në poligonin e qitjes “Voloire”, pranë Kampit Villaggio Italia.
Sipas njoftimit të KFOR-it thuhet se ky ushtrim synon ruajtjen dhe përmirësimin e aftësive të qitjes së ushtarëve përmes testimit të armëve individuale, duke siguruar një nivel të lartë gatishmërie dhe sigurie.
“Ushtarët italianë nga Komanda Rajonale Perëndimore (RC-W) e misionit KFOR të udhëhequr nga NATO, zhvilluan ushtrime me qitje të drejtpërdrejtë në poligonin e qitjes “Voloire” pranë Kampit Villaggio Italia. Ushtrimi ka për qëllim ruajtjen dhe përmirësimin e aftësive të qitjes së ushtarëve përmes procedurave të testimit të armëve individuale, si dhe mbajtjen e një niveli të lartë gatishmërie dhe sigurie. KFOR vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë, si dhe në lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme. KFOR punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) në rolet e tyre përkatëse si përgjegjës për sigurinë.” – thuhet në njoftimin e KFOR-it.