Vodhi printerë me vlerë 160 mijë euro në Austri, 26 vjeçari nga Kosova dënohet nga gjykata

Një rast i pazakontë vjedhjeje ka tronditur rajonin Mühlviertel në Austri, ku një 26-vjeçar nga Kosova është shpallur fajtor për vjedhjen e printerëve dhe fishekëve me vlerë rreth 160 mijë euro, të cilët më pas i kishte shitur në Kosovë.

Sipas aktakuzës, i riu kishte kryer vjedhje të përsëritura brenda një muaji nga një depo në Kleinzell, duke marrë printerë dhe pajisje të ngjashme. Prokuroria pretendonte se ai kishte vepruar jo vetëm për interes personal, por edhe me ndihmën e personave të tjerë dhe në emër të një pale të tretë. Në dosjen e rastit thuhet se 26-vjeçari kishte detyruar një burrë 67-vjeçar të lëshonte fatura të falsifikuara për mallrat e vjedhura.

Po ashtu, ai akuzohej se kishte dërguar mallra të falsifikuara me vlerë rreth 313 mijë euro tek klientë biznesi, duke vepruar në emër të një 55-vjeçari.Megjithatë, gjatë gjykimit në Gjykatën Rajonale të Linzit, që u mbajt të martën, jo të gjitha akuzat arritën të provohen. Si rezultat, 67-vjeçari dhe 55-vjeçari u liruan përfundimisht nga të gjitha akuzat.

Gjykata shpalli fajtor vetëm 26-vjeçarin, i cili u dënua me 24 muaj burg, prej të cilëve shtatë muaj pa kusht. Meqë këtë pjesë të dënimit ai e kishte vuajtur tashmë në paraburgim, i riu u lirua menjëherë pas shpalljes së vendimit.Rasti ka tërhequr vëmendje të madhe në Austri, jo vetëm për vlerën e madhe të dëmit, por edhe për mënyrën e organizuar të veprimit dhe përfshirjen e tregut të Kosovës në rishitjen e mallrave të vjedhura.

Artikuj të tjerë

Back to top button