Vuçiq: Jam optimist për pozicionin e serbëve të Kosovës, por pas pesë apo dhjetë vjetëve

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se nuk është optimist sa i përket pozicionit aktual të serbëve në Kosovë, menjëherë pas zgjedhjeve lokale, por se është optimist për pozicionin e tyre në pesë ose dhjetë vjetët e ardhshme.
“Uroj Listën Serbe për rezultatin e jashtëzakonshëm në kushte të pamundura, ku të gjithë të huajt punuan kundër tyre, sidomos ata nga Perëndimi, por edhe mediat kryesore në Serbi. Këta njerëz duruan gjithçka”, ka thënë Vuçiqi gjatë një interviste për televizionin në shërbim të regjimit të tij, RTS, transmeton Paparaci.
Ai ka pretenduar se “ajo që nuk mund të pengojnë Serbinë është ndihma e mëtejshme për komunitetin serb në Kosovë”.
Duke folur për Rezolutën e miratuar në Parlamentin Evropian për Serbinë, e cila ishte më e ashpër se kurdoherë, Vuçiqi “ngushëllohet” me atë se Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe Presidenti i Këshillit të BE-së Antonio Costa janë simbole të fuqisë dhe vendimmarrës kryesore, dhe se, nga ky këndvështrim, është e qartë se vendimet nuk i merr PE-ja.
“Në Parlamentin Evropian miratuan një rezolutë me shumë më pak vota se herën e kaluar, që ishte shumë më e keqe për Serbinë sesa kjo e fundit. E miratuan me shtatë ose tetë vota më pak, me më shumë vota kundër dhe më shumë të abstenuar se herën e kaluar”, ka tentuar presidenti serb “të hedh hi në sy” të opinionit të brendshëm.
Ai ka vazhduar me të njëjtin stil, duke pretenduar se në nivelet e larta të BE-së “e dinë”, për shembull, “se topi shurdhues nuk u përdor në protestën e 15 marsit, ndërkohë që hetimi për topin shurdhues dhe zgjidhja e rastit është një nga kërkesat në rezolutën e miratuar të PE-së”.
“Ta përsëris: nëse topi shurdhues do të ishte përdorur atë ditë, unë nuk do të isha më president i Serbisë”, ka përfunduar Vuçiqi.



