
Policia e Kosovës ka sekuestruar mbi pesë kilogramë substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë dhe një armë zjarri gjatë një kontrolli në një shtëpi në fshatin Sllatinë të Vushtrrisë, ndërsa një person i mitur është arrestuar lidhur me rastin.
Sipas Policisë, rasti është zbuluar në mbrëmjen e datës 06.03.2026, derisa hetuesit e Stacionit Policor në Vushtrri po merreshin me trajtimin e një rasti të kanosjes.
Gjatë veprimeve hetimore dhe mbi bazën e informatave të siguruara në terren, janë krijuar dyshime se në një shtëpi mund të kishte substanca narkotike.
Me autorizim të prokurorit të rastit, Policia ka kryer kontroll në një shtëpi në fshatin Sllatinë. Gjatë kontrollit, zyrtarët policorë kanë gjetur dhe sekuestruar një sasi prej 5 kilogramë e 61.4 gramësh substancë që dyshohet të jetë marihuanë.
Në të njëjtin lokacion është gjetur edhe një armë zjarri e llojit pistoletë, së bashku me gjashtë fishekë.Lidhur me rastin është arrestuar një person i dyshuar i mitur. Pas arrestimit, për rastin janë njoftuar edhe hetuesit e Njësisë për Hetimin e Trafikimit të Narkotikëve, të cilët së bashku me njësinë e krimteknikës nga Stacioni Policor në Vushtrri kanë kryer ekzaminimin e vendit të ngjarjes dhe kanë vazhduar me veprime të tjera hetimore.Pas intervistimit dhe me udhëzim të prokurorit të rastit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.
Ndërkohë, Policia ka iniciuar rastet penale për veprat blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge si dhe mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve. Hetimet për këtë rast pritet të vazhdojnë nga njësia kompetente për hetimin e trafikimit të narkotikëve.



