Zgjedhja e Presidentit: Sa deputetë duhet të jenë në sallë? Sa duhet të votojnë? Kur duhen 80, e kur 61 deputetë?

Vjosa Osmani po synon një mandat të dytë në krye të shtetit, me qëllim që ta drejtojë vendin edhe për pesë vitet e ardhshme. Ndërsa kanë mbetur edhe nëntë ditë deri në afatin kushtetues kur Kuvendi duhet të vendosë nëse do t’ia besojë sërish mandatin zonjës Osmani, do të zgjedhë një kandidat tjetër për President, apo vendi do të shkojë në zgjedhje të reja, është me rëndësi të rikujtohet procedura që çon deri te kjo pikë.

Dilema e kuorumit

Kushtetuta e Kosovës dhe Rregullorja e Kuvendit e përcaktojnë qartë çështjen e kuorumit dhe mënyrën e zgjedhjes së Presidentit. Megjithatë, për shkak të interpretimeve të ndryshme politike ndër vite, kjo çështje është trajtuar dy herë nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës.

Rasti i parë lidhet me Behgjet Pacolli, kur Gjykata konstatoi shkelje procedurale pasi në raundin e parë kishin marrë pjesë më pak se 80 deputetë dhe nuk kishte dy kandidatë në garë. Në atë vendim, çështja e raundeve u përmend, por pa hyrë në analiza të thelluara.

Sqarimet më të detajuara erdhën në rastin e Hashim Thaçi. Në Aktgjykimin KO47/16, konkretisht në pikën 63, Gjykata thekson se për vlefshmërinë e procedurës në raundin e parë dhe të dytë kërkohet prania dhe votimi i të paktën dy të tretave (2/3) të të gjithë deputetëve, pra minimumi 80 deputetë. Ndërsa në raundin e tretë, mjafton prania dhe votimi i shumicës së të gjithë deputetëve, pra të paktën 61 deputetë.

Si konsiderohen të konsumuar raundet?

Raundi i parë dhe i dytë konsiderohen të vlefshëm vetëm nëse në sallë janë të pranishëm dhe votojnë të paktën 80 deputetë. Nëse ky kusht nuk plotësohet, raundi shpallet i pavlefshëm dhe nuk mund të vazhdohet me raundin pasues.

Sipas pikës 64 të të njëjtit aktgjykim, nëse raundi i parë nuk plotëson kuorumin prej 2/3, ai është i pavlefshëm dhe nuk mund të mbahet raundi i dytë. E njëjta logjikë vlen edhe për raundin e dytë. Vetëm pasi të dy raundet e para të jenë zhvilluar në mënyrë të vlefshme, mund të mbahet raundi i tretë.

Pra, për të arritur në raundin e tretë – ku kërkohen vetëm 61 deputetë – është e domosdoshme që paraprakisht të jenë konsumuar në mënyrë të rregullt dy raundet e para, secili me praninë dhe votimin e të paktën 80 deputetëve.

Artikuj të tjerë

Back to top button