Zgjedhjet e 28 dhjetorit, Agim Veliu kërkon të jetë pjesë e listës së LDK-së

Ish-kryetari i Podujevës, Agim Veliu, ka njoftuar se dëshiron që të jetë pjesë e listës për deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës për zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Veliu që ka shërbyer edhe si ministër i Brendshëm tha përmes një postimi në Facebook tha se përfshirja në listë nuk është favor personal, por sipas tij një përgjegjësi dhe vazhdimësi e punës së bërë me përkushtim.
“LDK është shtëpia jonë e përbashkët. Ajo është ndërtuar me mund, sakrificë dhe besnikëri nga njerëzit që ishin aty kur ishte më së vështiri dhe që vazhdojnë të jenë aty edhe sot”.
“Prandaj, është e domosdoshme që dera të mos u hapet atyre që nuk kanë qenë pjesë e LDK-së, nëse kjo do të ishte arsyeja të lihen jashtë ata që e kanë themeluar, e kanë mbrojtur dhe e kanë mbajtur gjallë partinë për më shumë se 30 vite.
Respekti për bazën, për themeluesit dhe për kontribuesit afatgjatë nuk është vetëm parim, është detyrim moral dhe institucional ndaj LDK-së, ndaj anëtaresisë dhe ndaj qytetarëve që na besojnë”.
“Pavarësisht debateve të ditëve të fundit, unë mbetem i përkushtuar ndaj vlerave të LDK-së, i gatshëm ta jap kontributin tim dhe besnik ndaj secilit anëtar që e ka dashur dhe e do partinë si shtëpinë e vet.
Faleminderit për vlerësimin, mbështetjen dhe besimin që vazhdoni të ma jepni!”, deklaroi mes tjerash ai.



