Zgjedhjet e parakohshme, Elezi: Organizimi i tyre brenda një periudhe të shkurtër, sfidë për KQZ-në

Zgjedhjet e parakohshme në një periudhë përbëjnë sfidë për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, kjo pas dështimit të mandatarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtit, për të marrë votat e nevojshme në Kuvendin e Kosovës, pritet të sjellë zgjedhjet e dyta parlamentare brenda vitit 2025.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka thënë se aktualisht janë të angazhuar në përmbylljen e procesit të zgjedhjeve lokale, por mbetën të përkushtuar për të përmbushur detyrimet kushtetuese nëse do të ketë edhe një proces të ri zgjedhor në këtë vit.
“Aktualisht, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është i angazhuar në përmbylljen e procesit të Zgjedhjeve Lokale dhe përgatitjet për raundin e dytë të zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave. Ashtu siç kemi thënë çdo herë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbetet i përkushtuar për të përmbushur detyrimet e veta kushtetuese dhe ligjore, në çdo moment kur një proces zgjedhor shpallet në mënyrë zyrtare”, tha Elezi.
Sipas Elezit, organizimi i një procesi të ri zgjedhore brenda një periudhe kaq të shkurtër, përbën sfidë për KQZ-në dhe stafin.
“Organizimi i një procesi të ri zgjedhor brenda një periudhe të shkurtër, sigurisht që përbën sfidë për KQZ-në dhe stafin e saj, veçanërisht për faktin se jemi ende në fazën aktive të administrimit të zgjedhjeve lokale. Por KQZ, si gjithmonë, do të veprojë në përputhje me mandatin e saj ligjor dhe do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme nëse vendoset për mbajtjen e zgjedhjeve të reja”, tha Elezi./EO



