Zgjedhjet i kushtojnë shtrenjtë Kosovës, fatura mund të arrijë rreth 28 milionë euro

Organizimi i dy palë zgjedhjeve nacionale brenda një vit dhe një palë zgjedhjeve lokale do t`i kushtojnë shtrenjtë Kosovës.

nëse mblidhet të gjitha shpenzimet, fatura e këtyre proceseve pritet të shkojë rreth 28 milionë euro.

Zëdhënëse i KQZ-së, Valmir Elezi, ka treguar se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e ardhshme pritet ta dërgojë në Qeveri kërkesën buxhetore për organizimin e zgjedhjeve nacionale të 28 dhjetorit.

Në një prononcim për Ekonomia Online, ai ka thënë se për zgjedhjet e 9 shkurtit ishin planifikuar 8.7 milionë euro, ndërkaq për zgjedhjet lokale 10.5 milionë të tjera.

“Buxheti i planifikuar nga KQZ për organizimin e zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës, të cilat janë mbajtur më 9 shkurt, ishte në vlerën e 8.7 milionë Euro. Sipas raporteve të deritashme, shuma e shpenzuar është rreth 7.9 milionë Euro. Ndërkaq, buxheti i planifikuar për qëllim të organizimit të Zgjedhjeve Lokale për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale, të cilat janë mbajtur më 12 tetor 2025, është në vlerën e mbi 10.5 milionë Euro. Në këtë planifikim buxhetor, përfshihet dhe organizimi i raundit të dytë të zgjedhave për Kryetarë të Komunave. Në përfundim të këtij procesi dhe përmbylljes së të gjitha procedurave, do të kemi një raport përfundimtar dhe do të kemi të dhëna të sakta se sa nga mjetet e planifikuara janë shpenzuar”, ka thënë Elez, duke dhënë detaje tjera.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka mjete buxhetore të planifikuara për një proces të ri zgjedhor, i cili nuk është i planifikuar. Në mbledhjen e radhës, KQZ do të miratojë planifikimin buxhetor për organizimin e zgjedhjeve të reja dhe kërkesën për buxhet do ta përcjellë për miratim në Qeverinë e Kosovës. KQZ ka vepruar kështu edhe në rastet tjera kur kemi pasur zgjedhje të parakohshme”, është shprehur ai.

Artikuj të tjerë

Back to top button