Zyrtarët publikë rrezikojnë të mbesin pa rroga nga shkurti i vitit 2026

Kryesia e Kuvendit të Kosovës nuk ka arritur pajtueshmëri për procedimin e Projektligjit për Buxhetin e vitit 2026.
Kjo çështje, bashkë me dy pika të tjera, janë hedhur poshtë nga Kryesia e Kuvendit në një mbledhje të mbajtur të enjten.
Lëvizja Vetëvendosje e ka shtyrë përpara këtë çështje, ndërsa partitë e opozitës së deritashme e kanë refuzuar me arsyetimin se qeveria në largim nuk ka kompetencë për procedimin e asnjë projektligji në kuvendin e legjislaturës së re.
Deputetja e Vetëvendosjes e nënkryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu tha se nëse buxheti i vitit të ardhshëm nuk miratohet, atëherë zyrtarët publikë rrezikojnë të mbesin pa paga duke filluar nga muaji shkurt.
“Buxheti [aktual, v.j] mund të përdoret deri në shkurt të vitit të ardhshëm. Ai nuk do të mund të shfrytëzohet nga shkurti i vitit të ardhshëm, nëse nuk do të ketë miratim të Ligjit për Buxhetin e vitit 2026”, tha Haxhiu në një paraqitje para mediave pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë.
Edhe kryeparlamentari Basha alarmoi për rrezikun e një krize të pagave, në rast se nuk arrihet një zgjidhje për miratimin në kuvend të Projektligjit për Buxhetin Vjetor të vitit 2026.
Nënkryetarja e Kuvendit nga radhët e PDK-së, Vlora Çitaku tha se Ligji për Qeverinë, si dhe Kushtetuta, e pamundësojnë procedimin e projektligjeve në kuvend nga qeveria në largim.
Njohësi i punës së Kuvendit të Kosovës, anëtari i shoqërisë civile Albert Krasniqi tha të enjten se opsioni i vetëm i zgjidhjes së çështjes së buxhetit për vitin e ardhshëm është ai i krijimit të një qeverie teknike para shkuarjes eventuale të vendit në zgjedhje. Kjo qeveri teknike, pastaj do të adresonte vetëm Ligjin për Buxhetin dhe Marrëveshjen e Planit të Rritjes me BE-në, e cila duhet të ratifikohet në Kuvend para përmbylljes së këtij viti.



