Zyrtarëve policorë nuk i’u kompensohet puna gjatë orareve shtesë

Gjatë vitit 2025, nga Policia e Kosovës janë dorëzuar në Thesar në vazhdimësi lista për kompensimin e zyrtarëve policorë për shtesa të ndryshme, përfshirë: kompensimin për punë gjatë natës dhe jashtë orarit të rregullt të punës, kompensimin për punë gjatë fundjavës dhe ditëve të festave zyrtare, si dhe kompensimin për funksion shtesë (pune sekondare).
Vetëm 32 orë shtesë, ashtu siç është e përcaktuar me Ligjin për Pagat në Sektorin Publik u janë paguar policeve të cilët kanë dhjetëra orë të tjera të cilat i kanë kaluar duke kryer detyra policore të përcaktuara nga menaxhmenti i policisë.
Nga shqyrtimi i këtyre listave është konstatuar se aprovimet për shtesat e lartcekura nuk janë bazuar në aprovimet buxhetore të përcaktuara me Ligjin për Ndarjet Buxhetore, duke rezultuar në krijimin e mungesave financiare (minus në paga), të cilat në dhjetor të vitit 2025 rrezikuan drejtpërdrejt pagesën e rregullt të pagës bazë për stafin policor për muajin dhjetor 2025.
Në letrën e Thesarit përmendet edhe kërkesa e muajit aktual, që sipas tyre përsëri nuk respekton në tërësi Legjislacionin në fuqi.
Thesari ka kërkuar ndërhyrje urgjente institucionale dhe rishikim të menjëhershëm të praktikës së aprovimit të shtesave për zyrtarët policorë.“Kërkohet ndërhyrje urgjente institucionale, rishikim i menjëhershëm i praktikave aktuale të aprovimit të shtesave në Policinë e Kosovës dhe respektim strikt i legjislacionit në fuqi, me qëllim të shmangies së pasojave financiare që mund të rëndojnë mbi institucionin që nënkupton se institucioni nuk mund të bëj pagesën e pagave deri në dhjetor të 2026″, shkruhet në dokument.



