Pllaka përkujtimore e Ukë Bytyçit shpaloset ne selinë qendrore të LDK-së

Në selinë qendrore të Lidhjes Demokratike të Kosovës, është shpalosur pllaka përkujtimore e Ukë Bytyçit, në 23-vjetorin e vrasjes së tij.
Këtë e ka bërë të ditur kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku i cili ka treguar se shpalosja e kësaj pllake është bërë bashkë me gruan e të ndjerit, Kimeten, fëmijët Shqipen dhe Flamurin si dhe bashkëveprimtarët politikë.
Abdixhiku thotë se Uka është vendosur aty ku e meriton, pranë bashkëveprimtarëve të mëdhenj të kauzës kombëtare: Enverit, Xhemës, Shabanit, Ismetit e Nekibes – në Koridorin e Kujtesës.
“Jeta e tij është rrëfimi i një brezi që e deshi Kosovën me punë, me guxim dhe me përkushtim të pashoq. Nga demonstratat e ‘81-shit, në themelimin e LDK-së, në organizimin e rezistencës, në luftën për liri në Zonën Operative të Pashtrikut, dhe në drejtimin e Suharekës si kryetar komune, Ukë Bytyçi mbetet shembull i njeriut që jetoi për idealin e lirisë dhe për shërbimin ndaj qytetarëve”, shkruan kryetari i LDK-së në Facebook.
Bytyçi u vra më 27 tetor 2002, vetëm një ditë pas fitores së tij të dytë zgjedhore.
“Sot, LDK-ja e nderon e kujton me mirënjohje të thellë një prej bijve të saj më të denjë, një simbol të qëndresës dhe të dashurisë për Kosovën. Lavdi jetës dhe veprsës së Ukë Bytyçit”, përfundon postimi i Abdixhikut.



