Memli Krasniqi tregon se kur kishte votuar kundër qëndrimit të PDK-së në Kuvend

Ish-kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka folur për kulturën e brendshme të debatit në parti dhe për përvojën e tij politike qysh nga fillet e tij politike.
Në një intervistë ekskluzive në “Rubikon”, Krasniqi tha se në PDK gjithmonë ka pasur diskutime dhe mendime të ndryshme, por në fund vendimet janë marrë në mënyrë të përbashkët, transmeton Klankosova.tv.
“Në PDK, prej kur kam shkuar unë, herën e parën në Kryesi kam hy në 2006-ën, si kryetar i rinisë, ka pasur gjithmonë debat, diskutim, ka pasur mendime të ndryshme, janë çmuar e vlerësuar, por pastaj vendimet i kemi marrë, dhe iu kemi qëndru prapa të gjithë”, thotë Krasniqi.
Ai foli edhe për sjelljen e deputetëve në Kuvend, duke pranuar se ndonjëherë ka pasur “protagonizëm më të madh” për shkak të zgjedhjeve të shpeshta dhe presionit nga elektorati.
“Padyshim që ndonjëherë në Kuvend ka protagonizëm pak më shumë, sepse njerëzit mendojnë ndonjëherë edhe për elektoratin, sepse po ka zgjedhje shumë shpesh, dhe deputetët janë pak në presion për t’i folur elektoratit bazë, dhe ndonjëherë e bëjnë ndonjë shkarje edhe jashtë vijave zyrtare partiake”, shtoi ai.
Krasniqi kujtoi edhe kohën kur ai vet ishte deputet dhe nuk kishte votuar një herë njësojë si partia e tij, duke e përshkruar si një përvojë të hershme të tij politike.
“Kam qenë unë deputet kur kemi bërë gjëra të tilla, më ka ndodh edhe mua mos me votu me partinë, një herë herët në vitin 2008, si entuziast i ri”, tregoi Krasniqi.
PDK pritet të mbajë zgjedhjet e brendshme për lidershipin e ri të hënën e 17 nëntorit.



