
Një informacion i publikuar sot në media që në titull të lë të kuptosh që në muajin mars nuk do të ketë rritje të tarifave të energjisë elektrike, është keqkuptuar dhe keqinterpretuar.
Nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë Elektrike kanë treguar për Infokus se diskutimi në mbledhje nuk kishte të bënte me tarifën e KOSTT, KEDS DHE KESCO pasi e njejta do të rishikohet sipas planifikimit në muajin mars.
“Informacioni i shpallur lidhet me kërkesën për përcaktimin e të hyrave dhe tarifave për Operatorin e Nominuar të Energjisë Elektrike (ALPEX) dhe konfirmimin e tarifave për vitin 2026, të cilat do të mbeten të pandryshuara krahasuar me periudhën paraprake. Ky vendim nuk ka të bëjë me tarifat për operatorët e tjerë të energjisë, si KOSTT, KEDS dhe KESCO, të cilat janë ende subjekt i një procesi të rishikimit dhe vlerësimit të aplikacioneve për të hyrat e lejuara maksimal”, thuhet në përgjigjen e ZrrE-së.
Madje sipas ZRrE-së procesi për rishkimin e tarifave të energjisë elektrike është në fazën e përfundimit të vlerësimit të aplikacioneve të dërguara nga kompanitë kosovare që bëjnë prodhimin dhe furnizimin me energji elektrike.
“Rishqyrtimi i tarifave për operatorët e licencuar (KOSTT, KEDS dhe KESCO) është në proces dhe do të zhvillohet pas përfundimit të vlerësimit të aplikacioneve të dorëzuara nga këta operatorë. Ky proces është i bazuar në analizat teknike dhe financiare nga ekspertët e ZRRE-së dhe do të marrë parasysh kërkesat ligjore dhe rregullative në fuqi. Çdo ndryshim i mundshëm në tarifat për vitin 2026 do të vendoset vetëm pas përfundimit të këtij procesi, pas konsultimeve publike dhe pas miratimit të vendimit përfundimtar”, kanë deklaruar për Infokus nga zyra për Informim e ZRrE-së.
Derisa kërkesa e këtyre operatorëve pra KEDS, KESCO dhe KOSTT, sipas aplikacioneve që kanë bërë në ZRRE, është që rritja e çmimit të energjisë apo tarifa e re të jetë afërisht plus 21 përqind.
Nga ZRrE nuk kanë pranuar të komentojnë në lidhje me përqindjen se sa do të jetë rritja mirëpo kanë deklaruar se kjo do të bëhet në bazë të kërkesës së këtyre operatorëve vendorë dhe sipas shyqrtimit të vlerësimit të aplikacioneve të tyre.
“Aktualisht, ZRRE nuk ka miratuar ende asnjë vendim lidhur me ndryshimin e tarifave për operatorët e energjisë elektrike. Vlerësimi dhe analizat janë ende në proces, dhe çdo informacion për rritje të mundshme të tarifave do të bëhet i ditur pas përfundimit të vlerësimit teknik dhe publikimit të raportit përfundimtar. Për transparencë dhe informim të plotë të publikut, të gjitha aplikacionet për të hyrat e lejuara maksimale janë publikuar në faqen zyrtare të ZRRE-së dhe procesi i rishikimit vijon në përputhje me kornizën ligjore dhe rregullative”, thuhet në përgjigjen e tyre.
Kujtojmë se sipas aplikimeve të dorëzuara, të hyrat maksimale të kërkuara nga KESCO për këtë vit arrijnë në 528.78 milionë euro, krahasuar me 435 milionë euro që ishin të lejuara për vitin 2025.
Sipas aplikimit zyrtar, kërkesa reflekton rritjen e ndjeshme të kostove të furnizimit me energji elektrike, veçanërisht si pasojë e varësisë më të madhe nga importi, rritjes së konsumit dhe kostove të rrjetit të transmetimit dhe shpërndarjes, si dhe bartjes së diferencave financiare nga viti 2025.
Aktualisht, tarifa e ditës për konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kWh është 9.05 centë/kWh, ndërsa tarifa e natës është 3.88 centë/kWh. Për konsumin mbi këtë kufi, çmimi është 15.43 centë gjatë ditës dhe 7.28 centë natën.
Nëse kërkesat e operatorëve pranohen nga ZRrE atëherë kjo shënon rritjen e katërt të çmimit të energjisë elektrike vetëm për katër vite.



