Katër dekada e gjysmë burg për secilin: Krerë të shtetit dhe shoqëria i reagojnë ZPS-së së Hagës

Nga katër dekada e gjysmë burg pë katër ish-figurat e larta të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Kështu kërkoi Prokuroria e Specializuar në Hagë që të jetë verdikti i trupit gjykues ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Prokuroria Specializuar i pandehu për fajtor për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit “në të gjitha dhjetë akuzat” në aktakuzë dhe tha se “graviteti i tyre nuk është venitur nga koha”. 180 vite marrë së bashku i dëshiron ZPS-ja ndaj tyre ndërsa u mohoi vlerën dëshmitarëve ndërkombëtar të mbrojtjes. Ndaj kësaj kërkese marramendëse të ZPS-së ka pasur reagime të panumërta në vend, prej krerëve të shtetit e deri studies e opinionistë.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ndonëse e shmangu referimin ndaj Gjykatës Speciale dhe foli në terma të përgjithshëm për luftën çlirimtare shqiptare dhe shtypjen e gjenocidin e regjimit të Sllobodan Millosheviqit ndaj shqiptarëve, ajo shkroi se lufta e UÇK-së ishte “e drejtë dhe e pastër”.
“Çdo përpjekje që tenton të barazojë luftën çlirimtare të UÇK-së me krimet e agresorit gjenocidal serb e minon besimin në drejtësi dhe e dëmton rëndë paqen afatgjatë. Kosova dhe qytetarët e saj kërkojnë drejtësi. Lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe e pastër. Kjo e vërtetë nuk ndryshohet me tentime për ta rishkruar historinë dhe për ta njollosur dhe zhvleftësuar betejën e popullit të Kosovës për liri”, shkroi Vjosa Osmani.
Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar po ashtu ndaj kërkesës së Prokurorisë së Specializuar për dënime që në total arrijnë deri në 180 vjet burg për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke e cilësuar atë si “politikë që synon ta përmbysë të vërtetën” dhe jo si akt drejtësie.
Në një reagim publik, Vetëvendosje ka deklaruar se kjo kërkesë përbën ndërhyrje politike në kujtesën kolektive dhe në historinë e Kosovës, duke zhvendosur vëmendjen nga agresioni shtetëror serb te rezistenca çlirimtare. Sipas saj, UÇK-ja ka qenë shprehje e luftës për mbijetesë, liri dhe barazi, ndërsa përpjekjet për ta paraqitur si ndërmarrje kriminale janë të pabazuara historikisht dhe juridikisht.
Vetëvendosje shtoi se krimet kundër njerëzimit, sipas së drejtës ndërkombëtare, lidhen me aparate shtetërore dhe dhunë sistematike, çka, sipas saj, nuk ka ekzistuar kurrë në strukturat e UÇK-së. Lëvizja rithekson qëndrimin se çlirimi nuk është krim dhe se historia e Kosovës nuk mund të rishkruhet përmes aktakuzave selektive.
Ish-ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, duke iu referuar kërkesës së Prokurorisë së Specializuar për dënime prej 45 vjetësh burg për secilin nga katër ish-krerët e UÇK-së, e ka cilësuar atë si akt padrejtësie dhe fyerje ndaj viktimave shqiptare të luftës.
Në një reagim në rrjete sociale, Haxhiu ka thënë se kjo kërkesë nuk ka të bëjë me drejtësi, por me ndëshkim politik dhe selektiv ndaj një lufte çlirimtare. Ajo ka theksuar se krimet e dokumentuara të Serbisë gjatë luftës nuk janë ndëshkuar seriozisht, ndërsa, sipas saj, mekanizmat aktualë po tentojnë të kriminalizojnë rezistencën e popullit shqiptar dhe të shtrembërojnë historinë e konfliktit.
Lulzim Peci nga KIPRED ka reaguar për kërkesën e Prokurorisë në Hagë, që ish-krerët e UÇK-së të dënohen me nga 45 vjet burg. Peci ka shkruar se kjo dëshmon përgatitje të dobët të Prokurorisë.
“Kerkesa e prokurorise se Dhomave te Specializuara per denim en-bllok me nga 45 vite burgim per ish-udheheqesit e UCK-se po i vjen era shume me teper si perpjekje per denim kolektiv se sa individual. Ne esence, ne baze te mendimit tim, kjo kerkese shperfaqe pergatitje tejet te dobet te rastit gjyqesor nga kjo prokurori. Mendoj se Kosova duhet te beje cmos qe te anetaresohet ne Keshillin Evropian sa me pare qe ky rast te trajtohet nga Gjykata Evropiane per te Drejtat e Njeriut!”, tha ai.
Pas kërkesës së Prokurorisë së Specializuar për dënime prej nga 45 vjetësh burg për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, mediat në Serbi, veçanërisht ato të afërta me pushtetin, kanë reaguar me tituj të ashpër, gjuhë urrejtjeje dhe narrativa propagandistike.
Radio Televizioni i Serbisë (RTS) i ka kushtuar hapësirën kryesore kërkesës së prokurorisë që Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi të dënohen, në total, me 180 vjet burg. Raportimi i RTS-së i ka paraqitur pretendimet e aktakuzës si fakte të kryera, duke përdorur formulime që e cilësojnë UÇK-në si organizatë kriminale dhe duke i atribuar asaj vrasje, rrëmbime dhe krime të tjera gjatë luftës.
Narrativa e ngjashme është përsëritur edhe nga tabloide dhe portale si “Informer”, “Alo”, “Novosti” dhe “Blic”, me tituj që e etiketojnë UÇK-në si “terroriste”, tituj të cilët janë shpërndarë gjerësisht edhe në rrjetet sociale.
Ndërkohë, në Gjykatën Speciale në Hagë, kryeprokurorja Kimberly West ka kërkuar dënime maksimale për secilin nga të akuzuarit, duke deklaruar se bëhet fjalë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Ajo ka hedhur poshtë dëshmitë e disa figurave ndërkombëtare, duke argumentuar se ato nuk kanë pasur njohuri të mjaftueshme për strukturat dhe veprimtarinë e UÇK-së.



