‘Zbarkimi i mundshëm i FSK-së në Gaza’, Maqedonci: Ka qenë vullnet politik i Kryeminsitrit Kurti dhe Presidentes Osmani

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka folur për anëtarësimin e Kosovës në “Bordin e Paqes” dhe për përfshirjen e mundshme në Forcën Stabilizuese për Gazën, duke theksuar se janë ndjekur disa hapa institucionalë që i kanë paraprirë një zbarkimi të mundshëm të Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) në Gaza.

Maqedonci, tha se janë ndjekur disa hapa që i kanë paraprirë një zbarkimi të mundshëm të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në Gaza. Ai tha se kur diskutohet për misione të tilla nuk është çështje e befasisë duke theksuar se është diskutuar shumë herët.

Maqedonci potencoi se me 16 shkurt të vitit të kaluar, së bashku me Kryeministrin Kurti në Konferencën e Sigurisë në Mynih kanë zhvilluar një takim me koordinatorin e sigurisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Palestinë dhe Izrael ku është diskutuar mundësia që Kosova të kontribuojë për paqen dhe stabilitetin në regjionin e Lindjes së Mesme me fokus në Gaza.

“Shpesh krijohet përshtypja që kur diskutohet për këto misione është çështje e befasisë apo është çështje e aty për aty. Eshtë diskutuar shumë herët, ne kemi patur një takim së bashku me kryeministrin, Albin Kurti, në Mynih me koordinatorin e sigurisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Palestinë dhe Izrael me 16 shkurt të vitit të kaluar, dhe pikërisht është diskutuar mundësia që Kosova të kontribuojë për paqen dhe stabilitetin në regjionin e Lindjes së Mesme me fokus në Gaza. Kjo është bërë gjithmonë duke patur parasysh që SHBA-të kanë plane që pas konflikteve të mbështesin ato zona ku kanë interes për zhvillim dhe rikthim të normalitetit dhe ky diskutim është bërë në kuadër të Konferencës së Mynihut pikërisht me 16 shkurt. Atë kohë e patëm publikuar mirëpo duke mos qenë situata si tani që të jetë relevante kjo çështje nuk e ka marrë vëmendjen e duhur ndoshta në atë periudhë. Mirëpo paraprakisht ndoshta nuk dihet shumë në publik, kjo çështje me datën 10 dhjetor të 2025 kemi pranuar nga Komanda Amerikane e Qendrës një ftesë për pjesmarrje në Konferencën për Themelimin e Forcës Stabilizuese për Gaza. Normal ftesa është drejtuar këtu për Komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjeneral- Lejtnant, Bashkim Jashari dhe ftesa është bazuar në një Rezolutë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të nëntorit të po atij viti, vitit 2025, që ka autorizuar themelimin e forcës stabilizuese pra është çështja para diskutimit për ‘Bordin e Paqes’…. ka patur një Rezolutë të Kombeve të Bashkuara e cila ka autorizuar SHBA-të për ngritjen e një force stabilizuese. Me datën 11, një ditë më pas unë kam dërguar tek Kryeministri, Albin Kurti, propozimin dhe rekomandimin që të marrim pjesë në atë Konferencë dhe në po të njëjtën ditë pra me datën 11, Kryeministri, ka aprovuar pjesmarrjen e gjeneral-lejtnant, Bashkim Jashari, në Doha në Konferencën për themelimin e Forcës Stabilizuese për Gazën. Pra janë ndjekur disa hapa që i kanë paraprirë këtij zbarkimi të mundshëm të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në Gaza” deklaroi Maqedonci.

Ministri i Mbrojtjes, Maqedonci, shpjegoi se Bordi i Paqes dhe Forca Stabilizuese për Gaza-n janë mekanizma të ndryshëm që i’u përputhen interesat.“Normalisht pastaj ka ardhë iniciativa e ‘Bordit të Paqes’, është themeluar, që gjithashtu ka adresuar çështjen e Gazës. Ç’ka është ndoshta për t’u sqaruar për opinionin, këto janë dy organizma të ndryshëm, normal përputhen interesat. Bordi i Paqes ka synim adresimin e çështjeve në nivel global të sigurisë dhe paqes kur Gaza është një prej atyre vatrave. Bordi i Paqes dhe Forca Stabilizuese për Gaza-n janë dy mekanizma…. Forca Stabilizuese për Gaza-n është ndërtuar bazuar në Rezolutën e OKB-së, normalisht ‘Bordi i Paqes’ duke qenë një iniciativë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të adresojë edhe çështjen e Gaza-s dhe patjetër që do të ketë edhe ndërlidhje” deklaroi Maqedonci në Gazeta Blic.

I pyetur nëse Presidentja Osmani ka diskutuar me ministrin Maqedonci para se të ‘shkojë dhe premtojë kyçjen e Forcave të Kosovës në këto misione’……ministri Maqedonci pati këtë përgjigje.

“Ne kemi dërgu në Qeverinë e Republikës së Kosovës propozimin dhe rekomandimin normalisht që edhe Kryeministri e ka diskutuar këtë çështje me Presidenten e Republikës që me 10-11 dhjetor kur kemi dërguar atë propozim tek Kryeminstri dhe ne kemi qenë në kontakt për çështjen e Forcës Stabilizuese. Gjeneral Jashari, gjatë takimeve që ka patur në kuadër të Konferencës në Doha të Katarit ka diskutuar edhe mundësitë se me çfarë kapacitetesh ne mund të kontribuojmë. Mirëpo ç’ka mund të them qartë edhe saktë është fakti që ka qenë vullneti politik i Kryeminsitrit dhe vullneti politik i Presidentes për të mbështetur zbarkimin e mundshëm të FSK-së në Gaza. Normalisht deri tani jemi në pjesën e vullnetit politik sepse tani e tutje do të jenë procedurat që parashihen me Ligjin për Zbarkimin e FSK-së jashtë vendit por edhe me ligje të tjera” tha Maqedonci.

Artikuj të tjerë

Back to top button