
Pas shpalljes së vendimit nga Gjykata Kushtetuese, Partia Demokratike të Kosovës ka njoftuar se do të mbledh nesër kryesinë dhe deputetët për të diskutuar hapat e mëtutjeshëm.
Këtë e ka konfirmuar për RTK-në sekretarja e përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku duke thënë se ky subjekt politik e respekton vendimin e institucionit.
“Ne e respektojmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese si institucion kyç i rendit demokratik, ashtu siç kemi vepruar gjithmonë”, ka thënë Çitaku.
Mbledhja është paraparë të mbahet në orën 14:00.
Gjykata Kushtetuese i ka dhënë edhe 34 ditë afat deputetëve të Kuvendit të Republikës nga dita e hyrjes në fuqi të Aktgjykimit për të zhvilluar dhe përfunduar procedurën e zgjedhjes së presidentit.
Kushtetuesja njëzëri sot ka vendosur të deklarojë të pranueshme kërkesat e bashkuara në rastet e parashtruara nga kryeministri, Albin Kurti, në emër të Qeverisë dhe kërkesës së parashtruar nga Arbërie Nagavci dhe 30 deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës.
Gjykata ka konstatuar se dekreti i presidentes që mban datën 6 mars nuk prodhon asnjë efekt juridik.



