Abdixhiku: Vendimi i Kushtetueses sjell qartësi, përgjegjësia mbetet te shumica për zgjedhjen e Presidentit

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, duke e cilësuar atë si një moment që sjell qartësi të nevojshme për situatën aktuale institucionale në vend.

Sipas Abdixhikut, LDK e respekton plotësisht aktgjykimin dhe e konsideron atë si udhërrëfyes për hapat e ardhshëm politikë. Ai theksoi se vendimi nuk krijon epërsi për asnjë palë, por rikthen procesin në Kuvend, duke u dhënë deputetëve një afat të ri për zgjedhjen e Presidentit.

Abdixhiku nënvizoi se përgjegjësia kryesore në këtë fazë i takon shumicës parlamentare, e cila, sipas tij, ka pasur kohë të mjaftueshme për të përmbyllur procesin dhe duhet të ofrojë zgjidhje konkrete.

“Pa votat e shumicës, ky proces nuk mund të përmbyllet”, thuhet në reagim.

LDK vlerëson se çështje të tilla duhet të zgjidhen përmes marrëveshjes politike dhe jo imponimit, duke insistuar që Presidenti i ardhshëm të jetë figurë unifikuese dhe jo përfaqësues i njëanshëm i shumicës.

Po ashtu, Abdixhiku ka mbrojtur veprimet e Presidentes, duke thënë se ato kanë qenë në funksion të ruajtjes së rendit kushtetues dhe shmangies së një vakumi institucional. Ai shtoi se aktgjykimi i Kushtetueses nuk ka konstatuar shkelje dhe ofron interpretimin përfundimtar që duhet të respektohet nga të gjithë.

LDK është shprehur e gatshme të kontribuojë në një zgjidhje të përbashkët politike, por ka paralajmëruar se nuk do të bëhet “alibi e dështimeve të askujt”.

Në fund, Abdixhiku ka theksuar se, nëse nuk arrihet marrëveshje brenda 34 ditëve, LDK do të hyjë e përgatitur në zgjedhje të reja, me synimin për të ofruar alternativa të reja për qytetarët.

Artikuj të tjerë

Back to top button