
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë ka reaguar lidhur me ndalimin e katër shtetasve shqiptarë nga autoritetet në Serbi, duke bërë me dije se po e ndjek me vëmendje të plotë rastin përmes Ambasadës së Shqipërisë në Beograd.
MEPJ thekson që ka kërkuar informacion të plotë nga institucionet në Serbi për rrethanat e ndalimit dhe garantimin e të drejtave të shqiptarëve, në përputhje me legjislacionin vendas dhe standardet ndërkombëtare.
“Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, përmes Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Beograd po ndjek me vëmendje të plotë rastin e ndalimit të katër shtetasve shqiptarë nga autoritetet serbe. Menjëherë pas marrjes së informacionit, Ambasada u është drejtuar zyrtarisht institucioneve përkatëse në Serbi dhe ka kërkuar informacion të plotë mbi rrethanat e ndalimit, si dhe për të garantuar respektimin e të drejtave të shtetasve shqiptarë, në përputhje me legjislacionin vendas dhe standardet ndërkombëtare”, thuhet në reagim, raporton A2cnn.
Ambasada tha më tej se është në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet kompetente, dhe se po ofron të gjithë asistencën e nevojshme konsullore, duke përfshirë edhe kontaktet me familjarët e të ndaluarve dhe mundësimin e kontakteve të tyre me avokatë.
“Republika e Shqipërisë pret që çdo veprim i autoriteteve serbe të zhvillohet në përputhje të plotë me shtetin e së drejtës, duke respektuar të drejtat themelore dhe garancitë procedurale për çdo qytetar. Situata po ndiqet nga afër dhe çdo zhvillim i mëtejshëm do të trajtohet me seriozitetin maksimal”, tha MEPJ në reagim.
Të martën, katër shtetas të Shqipërisë u ndaluan në Serbi, pasi kishin publikuar një video duke bërë veprime, të cilat nga pala serbe u cilësuan si provokuese.
Ata bënin shqiponjën dykrenare me duar, si dhe shfaqnin disa fanella në të cilat kishte mesazhe si “Shqipëri Etnike” e “Autochthonous”.
Sipas mediave në Serbi, ata ishin nisur për në Poloni për të ndjekur ndeshjen e Shqipërisë që zhvillohet të enjten në kuadër të play-offit për kualifikime në Botëror.



