Albin Kurti i propozuari si kandidat për kryeministër nga LVV

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizja Vetëvendosje, ka nominuar Albin Kurti si kandidat për kryeministër në zgjedhjet e 7 qershorit, raporton EO.

Haxhiu tha se Kurti ka ruajtur të njëjtin përkushtim ndaj interesit publik që nga koha e angazhimit të tij në protesta e deri te drejtimi i Qeverisë së Kosovës.

“Pra njeriu që dikur fliste në protesta, në demonstrata, është i njëjti që sot merr vendime shumë të rëndësishme në qeverinë e Republikës së Kosovës me qëndrueshmëri dhe i pathyeshëm. Nga angazhimi studentor deri te udhëheqja e qeverisë, ai ka treguar të njëjtën vendosmëri dhe të njëjtin përkushtim ndaj interesit publik. Dhe pikërisht kjo krijoi lidhjen e tij me qytetarët, veçanërisht me ata që për shumë vite kishin humbur besimin se politika mund të sjellë ndershmëri, përgjegjësi dhe ndryshim real. Prandaj të dashur aktivistë, me bindje të plotë politike, me respekt për rrugën tonë të përbashkët dhe me besim në vullnetin e qytetarëve, propozoj që kandidati ynë për Kryeministër të Republikës së Kosovës të jetë Albin Kurti.”

Ajo foli edhe për zhvillimet politike pas zgjedhjeve të fundit parlamentare, duke thënë se qytetarët i dhanë mandat të qartë Lëvizjes Vetëvendosje.

“Në zgjedhjet e 28 dhjetorit të vitit 2025, qytetarët votuan me 51.1% për Lëvizjen Vetëvendosje. Mandati dhe vullneti i qytetarëve ishin të qartë. Por ajo që pasoi tregoi edhe një herë se kush është i gatshëm të marrë përgjegjësi për qeverisje dhe kush vazhdon ta mbajë vendin peng të kalkulimeve politike. Pak ditë më parë, për shkak të moszgjedhjes së Presidentit, u shpërnda një Kuvend plotësisht legjitim, i dalë nga zgjedhjet ku qytetarët e Kosovës folën qartë, drejt dhe bindshëm. Vullneti i tyre ishte i padiskutueshëm, mandati ishte i qartë, legjitimiteti ishte i plotë. Dhe për një kohë shumë të shkurtër u votuan shumë marrëveshje të rëndësishme ndërkombëtare e shumë ligje që do të ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve të Republikës së Kosovës”.

Sipas saj, vendi u përball me bllokada politike dhe kriza artificiale që çuan në zgjedhje të reja.

“Por edhe kësaj radhe, në vend të respektimit të verdiktit qytetar, u prodhuan kriza artificiale dhe bllokada politike që e çuan vendin drejt zgjedhjeve të reja. Fatkeqësisht, kjo nuk është diçka e panjohur për qytetarët tanë. Të njëjtën qasje e kemi parë edhe vitin e kaluar: për më shumë se 10 muaj me radhë, pengesa, vonesa, bojkot i organizuar dhe shmangie nga përgjegjësitë kushtetuese. Ky bojkot pra nuk ishte i rastësishëm, as për herë të parë. Ishte një strategji presioni politik për ta futur vendin në një cikël të pafund zgjedhjesh, me shpresën se pasiguria dhe krizat e vazhdueshme do ta dobësonin vullnetin qytetar.”

Haxhiu tha se nuk ka pasur arsye që vendi të shkonte sërish në zgjedhje, duke akuzuar opozitën për bllokim institucional.

“Në vend që institucionet të funksiononin normalisht dhe të respektohej vullneti i qytetarëve, u zgjodh rruga e bojkotit dhe bllokadës institucionale. Nuk kishte asnjë arsye që Kosova të shkonte përsëri në zgjedhje, sepse institucionet ishin legjitime, Kuvendi ishte funksional dhe shumica ishte e qartë dhe e vendosur. Por kur nuk arrijnë ta fitojnë besimin e qytetarëve me votë, disa fatkeqësisht përpiqen ta sfidojnë atë përmes krizave artificiale”.

Artikuj të tjerë

Back to top button