Përballja që mund ta vendos titullin, Barca përballë Realit pa Yamalin

Gjithçka është gati për një tjetër natë spektakolare në futbollin spanjoll, aty ku rivaliteti më i madh në botë pritet të vendosë fatin e titullit kampion.

FC Barcelona dhe Real Madrid do të përballen sonte në “El Clasico”, në një duel që mund t’i japë fund garës për titull në La Liga.

Ndeshja që zhvillohet në “Camp Nou” me fillim nga ora 21:00 pritet të jetë vendimtare për sezonin, pasi një fitore e katalanasve do t’ua siguronte matematikisht titullin kampion dhe trofeun e 29-të në histori.

Skuadra e drejtuar nga Hansi Flick vjen në këtë përballje me presionin dhe motivimin maksimal për ta mbyllur garën para tifozëve të vet, ndërsa madrilenët synojnë të shtyjnë festën e rivalit të tyre më të madh.

Para sfidës, Barcelona publikoi listën e lojtarëve të grumbulluar për ndeshjen, ku vëmendjen më të madhe e mori mungesa e talentit të ri Lamine Yamal.

Ylli i ri blaugrana nuk do të jetë në dispozicion për shkak të një lëndimi, duke qenë një mungesë e rëndësishme për ekipin në një nga ndeshjet më të rëndësishme të sezonit.

Pavarësisht mungesës së Yamal, atmosfera në Barcelonë mbetet elektrizuese, me tifozët që besojnë se skuadra e tyre është vetëm 90 minuta larg një tjetër triumfi historik.

Në anën tjetër, Real Madridi do të kërkojë ta kthejë “El Clasicon” në një betejë krenarie dhe rivaliteti, duke tentuar të prishë festën e përgatitur nga katalanasit.

Artikuj të tjerë

Back to top button