I dënuar për trafikim armësh në Shqipëri, kosovari transferohet për vuajtjen e dënimit në Kosovë

Një shtetas i Kosovës, i dënuar në Shqipëri për veprën penale “trafikim i armëve dhe municionit”, është transferuar të martën në Kosovë për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit.
Policia e Kosovës njoftoi se transferimi është realizuar më 9 qershor 2026 përmes pikës kufitare në Morinë, në koordinim mes Drejtorisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, njësive relevante të Policisë së Kosovës dhe institucioneve të drejtësisë.
Sipas njoftimit, personi në fjalë ishte dënuar nga autoritetet shqiptare me pesë vjet burgim për trafikim të armëve dhe municionit. Pas transferimit në Kosovë, ai i është dorëzuar Shërbimit Korrektues të Kosovës për të vazhduar vuajtjen e pjesës së mbetur të dënimit, pasi një pjesë të tij e kishte kryer në Shqipëri.
Policia bëri të ditur se transferimi është realizuar në përputhje me legjislacionin në fuqi, marrëveshjet dypalëshe dhe bashkëpunimin ndërinstitucional mes Kosovës dhe Shqipërisë.
Në komunikatë thuhet se Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor do të vazhdojë bashkëpunimin me institucionet vendore dhe ndërkombëtare për shkëmbimin e informacioneve, me qëllim parandalimin, hetimin dhe zbulimin e aktiviteteve kriminale, si dhe gjurmimin dhe arrestimin e personave të kërkuar brenda dhe jashtë vendit



