KosovaMed vazhdon të ofrojë kujdes paliativ pa pagesë, 7 ditë në javë në Mitrovicë

Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare (QKMF) në Mitrovicë po vazhdon zbatimin e programit të kujdesit paliativ, duke u ofruar pacientëve me sëmundje të rënda shërbime profesionale shëndetësore në ambientin e tyre familjar.
Ky shërbim, i cili ofrohet pa pagesë në bashkëpunim me Komunën e Mitrovicës dhe me mbështetjen e profesionistëve të KosovaMed, synon t’u sigurojë pacientëve kujdes të gjithanshëm mjekësor, psikologjik dhe emocional, aty ku ata ndihen më të sigurt – në shtëpitë e tyre.
Ekipet e kujdesit paliativ janë në terren shtatë ditë në javë, duke realizuar vizita mjekësore, duke ofruar terapi të përshtatura për nevojat e pacientëve, si dhe mbështetje e këshillim për familjarët që përballen me sfida të rënda shëndetësore.
“Kujdesi paliativ nuk ka të bëjë vetëm me trajtimin e sëmundjes, por me përkujdesjen për njeriun”, thuhet në njoftimin e QKMF-së, duke theksuar qasjen humane dhe profesionale të këtij shërbimi.
Kujdesi paliativ konsiderohet një nga komponentët më të rëndësishëm të kujdesit shëndetësor, pasi u mundëson pacientëve me sëmundje kronike apo terminale të kenë më shumë rehati, dinjitet dhe mbështetje gjatë përballjes me gjendjen e tyre shëndetësore.
QKMF-ja në Mitrovicë ka bërë të ditur se qytetarët që kanë nevojë për këtë shërbim ose për informata shtesë mund të kontaktojnë në numrin +383 45 822 824.
Përmes këtij programi, profesionistët e KosovaMed dhe ekipet shëndetësore lokale po vazhdojnë të sjellin kujdes dhe përkrahje për pacientët që kanë më së shumti nevojë.



