
Një person është arrestuar nën dyshimin për veprën penale “Dhënia e ryshfetit”, pasi dyshohet se i ka ofruar një shumë parash zyrtarëve policorë për të shmangur një gjobë trafiku.
Rasti ka ndodhur gjatë mbajtjes së një pike kontrolli, ku njësia policore kishte ndaluar një automjet, drejtuesi i të cilit kishte tejkaluar shpejtësinë e lejuar.
Derisa zyrtarët policorë po përgatiteshin t’i shqiptonin gjobën për kundërvajtjen në trafik, i dyshuari, shtetas i Republikës së Serbisë u ka ofruar policëve një kartëmonedhë prej 20 eurosh, me qëllim që të mos i shqiptohej gjoba.
I dyshuari është arrestuar dhe, pas intervistimit, me urdhër të prokurorit kompetent i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.
“Policia mbetet e përkushtuar në zbatimin profesional dhe të paanshëm të autorizimeve si dhe në ndërmarrjen e veprimeve ndaj çdo veprimi që cenon integritetin e zyrtarëve policorë dhe zbatimin e ligjit”, thuhet në njoftim



