
Një person është arrestuar në Pejë, pasi dyshohet se ka shtënë me armë gjatë një ahengu.
Sipas Policisë së Kosovës, rasti është raportuar sot rreth orës 12:45, në rrugën “Brigada Adrian Krasniqi” në Pejë, ku në një aheng janë dëgjuar të shtëna me armë.
Njësitë policore kanë dalë menjëherë në vendngjarje, ku kanë takuar të dyshuarin. Gjatë kontrollit, nga ai janë sekuestruar një armë e tipit Retay, dy gëzhoja dhe një karikator.
I dyshuari është arrestuar dhe është intervistuar nga hetuesit policorë. Me vendim të prokurorit të shtetit, ai është liruar dhe rasti do të procedohet në procedurë të rregullt.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë u ka bërë apel qytetarëve që gjatë organizimit të ahengjeve dhe festimeve të tjera të përmbahen nga përdorimi i armëve, duke paralajmëruar se Policia e Kosovës do të ndërmarrë veprimet e nevojshme ligjore ndaj personave që përdorin armë në mënyrë të kundërligjshme.



