Kosova ofron ndihmë për Shqipërinë dhe Malin e Zi në përballjen me zjarret

Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka bërë të ditur se Kosova është e gatshme t’u ofrojë mbështetje Shqipërisë dhe Malit të Zi, të cilat po përballen me zjarre në zona të ndryshme.

Maqedonci tha se ka komunikuar me homologët e tij, ministrat e Mbrojtjes të Shqipërisë dhe Malit të Zi, të cilëve u ka përcjellë gatishmërinë e Ministrisë së Mbrojtjes për të vënë në dispozicion kapacitetet e Kosovës në rast se kërkohet ndihmë.

“Kosova është e gatshme të kontribuojë në mbështetje të autoriteteve përkatëse, nëse një ndihmë e tillë vlerësohet e nevojshme, duke vënë në dispozicion kapacitetet tona për përballimin e situatës së krijuar nga zjarret”, deklaroi Maqedonci.

Ai theksoi se në situata të tilla solidariteti dhe bashkëpunimi ndërmjet vendeve të rajonit marrin rëndësi të veçantë.

Sipas tij, Ministria e Mbrojtjes, Forca e Sigurisë së Kosovës dhe institucionet e tjera të vendit mbeten të gatshme të angazhohen dhe të ofrojnë mbështetje aty ku kapacitetet e tyre mund të jenë të nevojshme.

Shqipëria dhe Mali i Zi po përballen me zjarre në disa zona, ndërsa autoritetet janë angazhuar në përpjekjet për lokalizimin dhe shuarjen e tyre.

Artikuj të tjerë

Back to top button