Tahiri: Moskonstituimi i Kuvendit po përdoret për t’iu shmangur përgjegjësive

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës, Besnik Tahiri, ka kritikuar moskonstituimin e Kuvendit, duke thënë se kjo situatë po ndikon drejtpërdrejt në funksionimin e institucioneve të vendit.

“Mosardhja në Kuvend, moskonstituimi i Kuvendit po shihet që e ka qëllimin në një varg veprimesh brenda Qeverisë. Sot Qeveria po funksionon me ushtrues detyre. Për rreth dy vite, të gjitha ministritë funksionojnë me ushtrues detyre”, tha Tahiri.

Ai kritikoi edhe mbajtjen e posteve ekzekutive dhe parlamentare njëkohësisht.

“Nuk mundesh me qenë edhe ministër edhe deputet i betuar. Të gjitha këto, VV-ja i ka për t’iu ikur përgjegjësisë”, u shpreh ai.

Tahiri foli edhe për gjendjen në sektorin e shëndetësisë, duke e vlerësuar situatën si tejet të vështirë.

“Sektori i shëndetësisë, jam dëshmitar që gjendja, kushtet, pagat, barnat, sallat operative, hyrjet, krejt janë në një nivel shumë të vështirë”, tha ai.

Kritika pati edhe për gjendjen në ekonomi dhe politikën e jashtme.

“Dhe mos të shkojmë te ekonomia e politika e jashtme, që jemi bërë pikë e zezë”, deklaroi Tahiri.

Ai përmendi edhe çështjen e energjisë, duke shprehur shqetësim për kontratat e qymyrit.

“Nuk po flas edhe për një çështje tjetër të energjisë, kontratat e qymyrit, që janë jo në dakordancë me synimet që i ka Kosova”, tha Besnik Tahiri.

Artikuj të tjerë

Back to top button