Operacion i rrallë në Klinikën Torakale: 23 vjeçarit i hiqet tumori 3.5 kilogramësh

Një tumor gjigant, me peshë 3.5 kilogramë dhe përmasa rreth 27 centimetra në gjatësi e 17 centimetra në gjerësi, është hequr me sukses nga kaviteti torakal i një pacienti 23-vjeçar në Klinikën e Kirurgjisë Torakale të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.

Sipas njoftimit të Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës (SHSKUK), bëhet fjalë për një intervenim të rrallë dhe jashtëzakonisht kompleks, i cili paraqiste sfidë të veçantë për ekipin kirurgjik për shkak të përmasave të tumorit, lokalizimit të tij dhe kompleksitetit të ndërhyrjes në kavitetin torakal.

Operacioni është realizuar nga ekipi i specializuar i Klinikës së Kirurgjisë Torakale, nën udhëheqjen e drejtorit të klinikës, Dr. Nazmi Kolgeci.

Ndërhyrja është kryer në bashkëpunim me ekipin e anestezionit, të udhëhequr nga anesteziologu Dr. Qendrim Morina, ndërsa në operacion kanë marrë pjesë edhe instrumentarë dhe infermierë.

SHSKUK e ka cilësuar këtë rast si një dëshmi të kapaciteteve profesionale dhe bashkëpunimit multidisiplinar në trajtimin e rasteve komplekse kirurgjikale.

“Ky sukses i radhës dëshmon edhe një herë përkushtimin e lartë, profesionalizmin dhe bashkëpunimin e shkëlqyer multidisiplinar të stafit të QKUK-së në trajtimin e suksesshëm të rasteve më të rënda dhe më komplekse kirurgjikale”, thuhet në njoftimin e SHSKUK-së transmeton TandemPress.

Nga SHSKUK kanë theksuar se “puna ekipore, profesionalizmi dhe përkushtimi maksimal ndaj pacientit mbeten themeli i çdo suksesi” në institucionet shëndetësore.

Ndërhyrja është përfunduar me sukses, ndërsa njoftimi nuk jep detaje të mëtejshme për gjendjen shëndetësore të pacientit pas operacionit.

Artikuj të tjerë

Back to top button