
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se Policia e Kosovës ka gjetur dhe konfiskuar një sasi të konsiderueshme armatimi, municioni dhe pajisjesh ushtarake në fshatrat përreth Kalludrës në Zubin Potok.
Duke folur në konferencën e jashtëzakonshme të Policisë së Kosovës në Mitrovicë, Sveçla tha se zbulimi i arsenalit ka ardhur si rezultat i një hetimi intensiv të institucioneve të Kosovës.
“Ky arsenal armësh, municioni e pajisjesh është gjetur në fshatrat përreth Kalludrës së Zubin Potokut, një zonë tashmë e njohur për të gjithë ne. Pikërisht aty ku gjatë javëve të fundit janë zbuluar tri varreza masive, në të cilat janë gjetur mbetje mortore të 23 personave”, ka deklaruar Sveçla.
Ai ka thënë se sekuestrimi i armatimit dhe zbulimi i tri varrezave masive kanë ardhur pas shtrirjes së sovranitetit të shtetit në veri, vendosjes së rendit dhe ligjit, si dhe bashkëpunimit ndërinstitucional.
Sipas ministrit në detyrë, zbulimi i varrezave ka nxjerrë edhe një herë në pah dimensionin e krimeve të kryera gjatë luftës së fundit në Kosovë.
“Veriu i vendit tonë, përveç se ishte skenë e krimeve të rënda ndaj civilëve shqiptarë, maltretimeve e dëbimeve, është shfrytëzuar edhe për fshehjen e trupave të viktimave”, ka thënë ai.
Sveçla ka deklaruar se Serbia ka investuar vazhdimisht që veriu i Kosovës të mbetej i destabilizuar dhe, siç u shpreh ai, zonë rezistente ndaj institucioneve të sigurisë së Kosovës.
Ai tha se, gati tri dekada pas luftës, familjarët e personave të zhdukur ende presin të gjenden mbetjet mortore të më të dashurve të tyre, ndërsa Kosova kërkon përgjegjësi për të gjithë personat e përfshirë në krimet dhe fshehjen e trupave apo informacioneve për vendndodhjen e viktimave.
Sveçla ka bërë të ditur se në tri lokacione në këtë zonë janë gjetur mbetje mortore të 23 personave.
Sipas tij, në lokacionin e parë janë gjetur mbetje mortore të 13 personave, në lokacionin e dytë të katër personave, ndërsa në lokacionin e tretë të gjashtë personave.
Policia e Kosovës gjatë konferencës ka prezantuar armatimin, municionin dhe pajisjet ushtarake të gjetura dhe të konfiskuara gjatë operacioneve të zhvilluara në këtë zonë.



