Hamza pranon Shiroka-Pulën si kandidate për presidente, PDK propozon Eliza Hoxhën si kundërkandidate

Lideri i PDK-së, Bedri Hamza, ka thënë se Justina Shiroka-Pula është një emër i pranueshëm për partinë e tij për postin e presidentes së Kosovës

Në një konferencë për media, Hamza tha se PDK-ja do të marrë pjesë në seancën e Kuvendit dhe pret që fillimisht të votohet projektligji për Dhomat e Specializuara, ndërsa më pas të procedohet me zgjedhjen e presidentes.

“22 deputetët e PDK-së janë këtu. Orët e fundit s’është dashur të ndodhë kjo, por shumë më herët. Është dashur të ketë seriozitet në këtë çështje”, tha Hamza.

Ai tha se, ndonëse PDK-ja nuk ka biseduar me Shiroka-Pulën, kandidatura e saj është e pranueshme për partinë.

“Ne do të shkojmë në sallën e Kuvendit dhe presim të votohet ligji për Specialen. Sa i përket çështjes tjetër, edhe pse s’kemi biseduar me zonjën Shiroka-Pula, për PDK-në është emër i pranueshëm për presidente”, u shpreh Hamza.

Megjithatë, Hamza bëri të ditur se PDK-ja do të propozojë edhe një kandidate të saj si kundërkandidate. Bëhet fjalë për deputeten Eliza Hoxha.

“PDK-ja e propozon si kundërkandidate zonjën Eliza Hoxha. PDK nuk pranon të ketë kandidate përveç këtyre dyjave Ne po shkojmë në Kuvend, presim. Koha është e shkurtër. Jemi të interesuar ta kemi ligjin”, tha Hamza

Artikuj të tjerë

Back to top button