Ndalohet një person i dyshuar për vdekjen e punëtorit pasi ra nga lartësia dje në një kantier të ndërtimit në Ferizaj

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka njoftuar se me vendim të Prokurorit të Shtetit, ka ndaluar personin e dyshuar, B.T, në kohëzgjatje prej 48-orësh, nën dyshimet për rastin e vdekjes së 54 vjeçarit në vendin e punës në Ferizaj, dje më 12.10.2026.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, i dyshuari është ndaluar për shkak të dyshimit të veprës penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”.

Rasti, ka ndodhur në rrugën ”Cen Dugolli” në Ferizaj, rreth orës 15:50, ku një person, i cili po kryente punime në një objekt ndërtimi, dyshohet se ka rënë nga lartësia dhe ka pësuar lëndime të rënda, si pasojë e të cilave ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes.

Tutje, theksohet se vdekjen e viktimës e ka konstatuar mjeku kujdestar i Qendrës Emergjente në Ferizaj, kurse me urdhëresë të prokurorit të shtetit, trupi i pajetë i vitkimës është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.

Artikuj të tjerë

Back to top button