
Si rezultat i bashkëpunimit të vazhdueshëm dhe besimit të ndërsjellë ndërmjet Policisë së Kosovës dhe qytetarëve, sot është realizuar edhe një operacion i suksesshëm policor në veri të vendit.
Gjatë komunikimit të rregullt me qytetarët, zyrtarët policorë nga drejtoria rajonale e policisë Mitrovicë Veri kanë pranuar informacione se në dy lokacione ne komunën e Zubin-Potokut, mund të ketë armë dhe mjete të tjera ilegale.
Menjëherë pas pranimit të informacionit, njësitë policore kanë ndërmarrë veprime të shpejta dhe profesionale, duke kryer kontroll në lokacionet e dyshuar. Gjatë kontrollit ne rastet si ne vijim janë gjetur dhe sekuestruar:
Në fshatin Paruce të Zubin-Potokut, njësitë policore kanë kryer kontroll në një objekt të pabanuar (shtallë për ushqimin e bagëtive), ku kanë gjetur dhe konfiskuar:
– 141 fishekë të armës së gjatë;
– 21 fishekë të armës së gjatë me krehër;
– 2 fishekë të pushkës së gjuetisë;
– 4 granata dore;
– 1 tytë të pushkës së gjuetisë;
– 48 gëzhoja të pushkës së gjuetisë;
– 1 pajisje për mbushjen e fishekëve;
– 4 kuti me barot;
– sfera për mbushjen e fishekëve të gjuetisë;
– kapsula dhe tamponë për fishekë;
– 1 gaz maskë ushtarake;
– 1 bajonetë ushtarake.
Rasti dhe vendi tjeter ku u gjetën armë dhe municione
Në fshatin Ranqiq të Zubin-Potokut, njësitë policore kanë kryer kontroll në një objekt po ashtu të pabanuar, ku kanë gjetur dhe konfiskuar:
– 1 armë e shkurtë (pistoletë);
– 4 granata dore;
– 2056 fishekë të kalibrave të ndryshëm.
Policia bën me dije se, lidhur me këto raste, deri në këtë fazë nuk ka persona të arrestuar.
“Në vendin e ngjarjes, kanë dalë edhe njësitë për trajtimin e mjeteve eksplozive (IEOD), të cilat kanë tërhequr mjetet eksplozive në mënyrë të kontrolluar” thuhet në njoftim.
Të gjitha veprimet policore i janë paraqitur prokurorit të Shtetit, i cili ka udhëzuar inicimin e rasteve për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
“Policia e Kosovës falënderon qytetarët për bashkëpunimin dhe i fton ata që të vazhdojnë të ndajnë informacione që ndihmojnë në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike. Çdo informacion mund të raportohet në numrin emergjent 192” përfundon komunikata e policisë.


