
Ministria e Mbrojtjes ka shpallur fituesit për ndërtimin e dy pikave të karburantit në kazermat e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), njëra në Shirokë të Suharekës dhe tjetra në Gjakovë.
Tenderi është ndarë në dy pjesë, për të cilat ministria ka përzgjedhur dy operatorë ekonomikë.
Sipas të dhënave të publikuara në platformën online E-prokurimi, për pjesën e parë të tenderit, që përfshin ndërtimin e pikës së karburantit në Shirokë të Suharekës, fitues është shpallur grupi i operatorëve ekonomikë “Archi Time Group” dhe “Cubiq Group”, me ofertë prej 218 mijë e 500 eurosh.
Ndërkaq, për pjesën e dytë, që parasheh ndërtimin e pikës së karburantit në Gjakovë, fitues është shpallur kompania “Limora”, me ofertë prej 336 mijë e 136 eurosh.
Vlera e përgjithshme e dy kontratave arrin në 554 mijë e 636 euro.
Ndërtimi i këtyre pikave synon të mundësojë furnizimin me karburant në kazermat e FSK-së.



