
Shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, ka folur për rastin e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të dënuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës me seli në Hagë, me gjithsej 81 vjet burgim.
Në një intervistë në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova, Lushaku-Sadriu ka deklaruar se mbështetja institucionale për procesin e Apelit është e rëndësishme, duke theksuar se në këtë fazë duhet të paraqiten të gjitha faktet dhe argumentet përkatëse.
“Absolutisht jemi për ta mbështetur, për t’i dhënë mbështetjen institucionale dhe për të garantuar të drejtat e njeriut. Tek e fundit, këtu jemi duke folur për drejtësi dhe për këtë qëndron edhe shteti i Kosovës”, ka deklaruar ajo.
Lushaku-Sadriu ka bërë të ditur se LDK-ja mbështet idenë e ndihmës institucionale për këtë proces, përfshirë hartimin e një strategjie kombëtare dhe mbështetjen për fazën e Apelit.
“Jemi prapa që e mbështesim edhe këtë ide. Gjithsesi, dëshirojmë të themi se jemi edhe për ta ndihmuar këtë proces me strategji kombëtare dhe me mbështetjen për nivelin e Apelit, sepse niveli i Apelit është beteja e vërtetë”, është shprehur Lushaku-Sadriu.
Ajo ka theksuar se në këtë fazë duhet të bëhen përgatitjet e nevojshme dhe të paraqiten faktet, në mënyrë që, sipas saj, e vërteta të dalë në shesh.
“Atje duhet të përgatiten dhe t’i japin të gjitha faktet, që e vërteta të dalë në pah”, ka deklaruar Lushaku-Sadriu.



